14:45 / E Diele, 19 Maj 2024 / Gj. Sh

Nëna dhe babai i Thaçit marrin sërish rrugën e largët nga Kosova në Holandë për t’u çmallur me djalin e tyre

Pas një periudhe të gjatë që nuk e kishin parë djalin e tyre, prindërit e ish-presidentit Thaçi sërish kanë marrë rrugën e largët nga Kosova drejt Hagës për ta takuar dhe për t’u çmallur me të.

Nëna dhe babai i ish-presidentit Thaçi sapo janë futur në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Siç mësohet, ata do të qëndrojnë brenda deri në orën 16:00.

Siç shihet, nëna e ish-presidentit ka vështirësi edhe për të ecur për shkak të problemeve shëndetësore dhe moshës së shtyrë.

Vizita e vetme dhe e fundit e prindërve të Thaçit në Hagë ishte më 8 qershor 2022.

Pas kësaj vizite, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të nënës së tij, Thaçi ishte lejuar që të vinte në Burojë nën përcjellje të rreptë të personelit të sigurisë së Dhomave të Specializuara, por siç ishte raportuar, ai ishte lejuar të takonte vetëm dy prindërit dhe askënd tjetër.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, si ish-krerë të UÇK-së, po mbahen në paraburgim prej 5 nëntorit 2020.

Procesi gjyqësor ndaj tyre po vazhdon të jetë jotransparent dhe tejet i ngadalshëm. Më 21 maj është paralajmëruar një seancë, ku pritet të rishikohet koha dhe numri i dëshmitarëve të prokurorisë, e cila kishte kërkuar që t’i përfundojë dëshmitarët e saj deri në prill të vitit 2025