10:26 / E Hënë, 26 Gusht 2019 / indeksADMonline

Refuzohen ankesat e të të akuzuarve për rastin e veteranëve të rremë

Departamenti Special i Gjykatës se Apelit , i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës për ngritje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, në rastin e të të akuzuarve (veteranëve të rremë) A. Ç., N. L., S. H., Sh. D., Ç. G., Sh. B., Rr. B., F. F., S. E. dhe F. Sh.

Aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, i 19.06.2019, mbetet në fuqi.

Të gjithë këta po akuzohen nga Prokuroria Speciale se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale” Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar “ nga neni 422 par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata e Apelit gjeti se gjykata e shkallës së parë, ka vlerësuar dhe në mënyrë të drejtë ka dhënë arsye të mjaftueshme, se kundërshtimet janë të pabazuara dhe se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka prova të mjaftueshme, të pranueshme në aspektin procedural , për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, ndërsa tani nuk janë plotësuar kushtet ligjore për të cilat mund të hedhet aktakuza, ashtu siç kërkohet me dispozitat e nenit 250 par. 1 nën par. 1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të Kodit të Procedurës Penale.