14:04 / E Mërkurë, 17 Qershor 2020 / indeksADMonline

Sakrificat e drejtoreshës së Infektivit: Fëmijët i kam dërguar te prindërit

Ajo është pjesë e Klinikës Infektive që nga viti 1999. Fillimisht si mjeke në specializim, ndërsa nga viti 2004 gëzon titullin si mjek specialist. Aktualisht është ushtruese e detyrës e drejtores së Klinikës Infektive dhe rastisi të drejtojë këtë klinikë në periudhën më të vështirë për vendin, atë të epidemisë me COVID-19.

Lindita Ajazaj-Berisha, ashtu sikurse edhe mjekët e tjerë të Infektives, ka ndodhur të qëndrojë nga ora 07:00 deri pas mesnate dhe nesër në mëngjes përsëri në ora 07:00 të jetë në punë.

Kjo periudhë sfiduese solli shumë shqetësim në mesin e punëtorëve shëndetësorë, të cilët shqetësoheshin për familjet e tyre dhe më vështirë për ata që ishin prindër duke detyruar të largohen nga fëmijët e tyre.

Në një intervistë për KosovaPressin, Ajazaj-Berisha thotë se shqetësimi i saj kryesor gjatë kësaj kohe ka qenë se mos eventualisht ndonjë nga personeli shëndetësor po infektohet dhe pastaj të jetë burim infeksioni edhe për personelin edhe për familjarët kur shkon në shtëpi.

“Mirëpo ajo çka ka qenë më sfiduese gjatë kësaj pandemie është se shumë gjëra kanë qenë të panjohura për virusin dhe kjo ka sjellë një shqetësim në kuadër të punëtorëve shëndetësorë. Gjithashtu, duke lexuar që është numër i madh i personelit shëndetësor që është duke u infektuar gjatë kohës dhe gjatë kujdesit ndaj pacientëve apo edhe jashtë institucioneve, normal që ka qenë një shqetësim edhe për punëtorët shëndetësor. Ne kemi familje, kemi fëmijë, kemi prindër, gjithmonë është dashur të kemi kujdes edhe për anëtarët e familjes. Disa nga punëtorët shëndetësor, ata që kanë pasur mundësi, fëmijët i kanë dërguar të prindërit apo të familja e gjerë, mirëpo ka pasur të tillë që kanë qëndruar në shtëpi me fëmijët dhe familjen”, rrëfen ajo për KosovaPressin.

Ajazaj-Berisha thotë se në rastin e saj është dashur që fëmijët t’i dërgojë te prindërit e saj, ndërsa edhe takimi me ta që ka qenë i kufizuar dhe duke mbajtur distancën.

“Personalisht për shkak që kam qenë në kuadër të menaxhimit të klinikës, pjesën më të madhe, qoftë gjatë vikendeve apo festave më është dashur të rri në klinikë, fëmijët i kam pasur të prindërit dhe atje kanë qëndruar gjatë gjithë kohës dhe normal gjatë vizitës që u kam bërë fëmijëve dhe prindërve është dashur gjatë gjithë kohës ta mbajë distancën së paku dy metra larg dhe duke i shfrytëzuar masat mbrojtëse si maska e doreza”, vijon Ajazaj-Berisha.

Drejtoresha e Infektives thotë se sfidë tjetër ka qenë edhe qasja ndaj pacientëve, përveç që është dashur të merremi me trajtimin e këtyre pacientëve, është dashur të kenë biseda me pacientë duke i qetësuar për arsye se thotë se ishte krijuar një stigmë që është trup te jesh i infektuar Covid-19.

Ajazaj-Berisha deklaroi se gjatë kësaj kohe momentet më të rënda kanë qenë ato kur rastet kanë përfunduar me fatalitet, ndërsa janë gëzuar kur kanë arritur që të shërojnë pacientët e prekur me koronavirusin e ri.

“Megjithatë për ne ka qenë mjaft e rëndë sidomos në momentet kur rasti ka përfundim fatal dhe ne si mjek duhet t’i informojmë familjarët dhe duhet të komunikosh. Është një gjendje jashtëzakonisht e rëndë sepse ne jemi profesionistë shëndetësorë, por megjithatë jemi njerëz dhe nuk është e lehtë të merresh një javë, ose disa orë me një pacientë sepse e ndjejmë dhe e kemi një jetë të gjallë përpara duarve. Rastet që jemi ndje më së miri është kur rastet që kanë qenë të rënda kanë filluar të përmirësohen dhe normalisht janë lëshuar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore. Çdo pacient që është lëshuar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore, që është shëruar, për ne ka qenë gëzim i madh sepse e sheh lumturinë të pacienti dhe familjarët. Kemi pasur raste edhe me mosha të reja, sidomos raste kur nga katër ose pesë anëtarë të familjes kanë qenë të infektuar me Covid-19 dhe dy ose tre kanë qenë në gjendje të rëndë, në kohën kur ata janë shëruar dhe janë lëshuar në shtëpi, normal për neve ka qenë një ndjenjë e mirë për arsye se kemi arritur që në kuadër të pesë, gjashtë infeksioneve brenda anëtarëve të familjes, kanë arritur të shkojnë në shtëpi të shëruar”, vijoi Ajazaj-Berisha.

Në fund, ajo ka një mesazh për qytetarët që pavarësisht lehtësimit të masave, duhet të kenë kujdes dhe të mbajnë distancën, maskat dhe dorezat, ashtu siç rekomandon Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Ndryshe, dy ditët e kaluara në Kosovë janë shënuar raste rekorde me COVID-19.

Për dy ditë janë regjistruar 270 raste të reja duke e çuar numrin e përgjithshëm në 1.756 raste. Nga 13 marsi kur edhe u regjistruan rastet e para në Kosovë kanë humbur jetën 34 persona, teksa janë shëruar 968 të tjerë.