19:51 / E Hënë, 13 Dhjetor 2021 / LB

Sali Bajra i vuri “rampën” Maqedonisë !

Shkruan: Agim Muhaxheri

Politikanin me nam, Sali Bajrën, e kujtojnë kaçanikasit, por jo vetëm ata. Kur të tjerët e kërkonin Republikën tinëza, ky e kërkoi haptazi në Komitetin Komunal të LK në Kaçanik. Në vjeshtën e ’69-ës, si kryetar i Komunës, i dërgoi ultimatum Kuvendit të Maqedonisë dhe atij të Tetovës:”Nëse ju i rrihni qytetarët tanë, do t’i rrahim edhe ne qytetarët tuaj”. Ultimatumi i tij u bë realitet.

Decentralizimi në Kosovë nënkupton centralizimin e pushtetit të Serbisë, që ta fus nën kthetra Kosovën, e të dirigjojë Beogradi me “filialat” e veta, është shprehur Bajra në intervistën që kam pasur me të në 2006———————————————————————————–Tri javë para se të ndërron jetë bëj intervistë me të. E takoj te Ura e Konakut në Kaçanik ekonomistin e diplomuar. I them: O aga Sali, a po do me u rreh me mua”. Ai ma kthen: “T’prishi…”. Bisedën e bëj në shtëpinë e tij, mbi kodër, skaj rrugës që shpie për në ish- Sanatoriumin e Kaçanikut.Shtëpia e tij, me mur qerpiçi i ngjante një kasolleje.Ky ishte kapitali i tij, të cilin të tjerët e kanë quajtur komunist ! Kush ishte Sali Bajra (1934 – 2006) ? Gjyshi i tij Demiri kishte ardhur nga fshati Bajra, komuna e Lebanës (Serbi), i shpërngulur pas Kongresit të Berlinit (1878), i vendosur në fshatin Kovaçec, afër Kaçanikut. Ndërkaq, babai i tij Bajrushi dhe ai kishin lindur në Kaçanik.E bëmë sabah. Flisnim për letërsi, kulturë, politikë. Më tepër u përqendruam në politikë. Atëbotë, para nëntë vitesh, ishte aktual fenomeni i decentralizimit. I citonte thëniet e shkrimtarëve të letërsisë botërore, Victor Hugo, Honore de Balzak, Leon Tolstoi, Johann Wolfganga von Goethe, Friedrich Nietzsche… Zotëri Bajra, kohëve të funbdit diplomatë të ndryshëm përmendin fenomenin e decentralizimit, aplikimin e tij në territorin e Kosovës. Flitet e përflitet kjo temë e “nxehtë” edhe në takimin e Vjenës. Cili është komenti i juaj ? – i shtroj këtë pyetje në nëntor të 2006-ës.

Përgjigja e tij rodhi: Unë them apriori se nuk ka decentralizim pa e pasur shtetin. Vetëm me njohjen e shtetit, decentralizimi ka vend. Kjo është logjikë e çdo sistemi të mirëfilltë juridik. Kosova, në këtë kontekst, nuk bën të jetë përjashtim. Kjo diagnozë e imponuar, kujtoj se duhet të demaskohet botërisht. Natyra e këtij decentralizimi që mëtohet të aplikohet në Kosovë, i ka “rrënjët” dhe “degët” e saja. Ju po i përmendni “rrënjët” dhe “degët”, ç’nënkuptoni me këto shprehje ? – i them atij. Përgjigja pasoi: Dua të them se decentralizimi në këtë kohë kur Kosova ende nuk është njohur si shtet ndërkombëtarisht, është një “non sens”. I përmenda këto dy shprehje, ngase për këtë konsideroj se kam arsye. Decentralizimi i këtillë në Kosovë nënkupton centralizimin e pushtetit të Serbisë, që ta fus nën khtetra Kosovën, e të dirigjojë Beogradi me “filialat” e veta. Një model i tillë, nuk do mend, është përzierje në punët e brendshme.

Ndryshe, sipas një zhargoni tjetër, kësaj i thonë decentralizimi “me valë të gjata”, është shprehur ai.I kam tërhequr vërejtjen: Tipat, si Tadiqi, Koshtunica, Drashkoviqi dhe ithtarët e tyre e “rrahin telin”, trumbetojnë se Kosova na qenkësh “zemra dhe shpirti” i Serbisë. Ç’thoni për këto sllogane ? Ai vuri buzën në gaz. Nuk e kanë sefte, tha ai, pastaj shtoi: Bëjnë ata politikë për konsum të brendshëm. Le të shohin ëndrra… Parardhësi i tyre Dimitrije Tucoviq, që ka qenë më serb se këta, ka shkruar ndryshe. Drashkoviqi po orvatet ta përgënjështrojë Tucoviqin, po ai nuk po ia del. Tucoviqi në “Radniçke novine”, numër 241, 242 e 12 e 13 nëntorit 1913, një vit para vdekjes, duke u gjendur si oficer i ushtrisë okupatore në Kosovë ka shkruar: “Me të drejtë shkaku kryesor i të gjitha fatkeqësive nga të cilat sot vuajmë dhe nga të cilat do të vuajmë edhe në të ardhmën kanë të bëjnë me atë se kemi hyrë në tokë të huaj”. (Shih: Veprat e zgjedhura të Dimitrije Tucoviqit, libri 7, Rad, Beograd 1980, revista ‘ Serbët dhe shqiptarët’, fq. 46).Gjatë vjeshtës së vitit 1969, Bajra, si kryetar i Komunës së Kaçanikut, i çoi ultimatum Kuvendit të Maqedonisë dhe atij të Tetovës: “Nëse ju i rrihni qytetarët tanë, do t’i rrahim edhe ne qytetarët tuaj”.

Ultimatumi i Bajrës qe bërë realitet. Ai e kishte vënë “rampën” në kufi me Maqedoninë, në Han të Elezit.Bajrën e përjashtojnë nga LK më 29 maj 1969 duke ia veshur etiketën e nacionalistit.Kur të tjerët e kërkonin Republikën tinëza, ky e kërkoi haptazi në Komitetin Komunal të LK në Kaçanik. “Në atë mbledhje ka qenë i pranishëm Rexhai Surroi, i cili më ka përkrahur”, më ka rrëfyer Bajra.Bajrën e nxorën “në aut”. Ai punoi si shef i ndërmarrjes tregtare “Makoplod” të Shkupit, filiala në Prishtinë prej vitit 1977 – 1981. Drejtor i kësaj ndërmarrje ishte Azem Mehmeti nga Gllareva e Drenicës, me vendbanim në Draçevë të Shkupit. “Azem Mehmetin flitet se e kanë helmuar”, më rrëfeu këtë hollësi Sali Bajra.

Bajra është shoqëruar me shumë intelektualë, ndër ta edhe me poetin boem Mirko Gashin.Jo rastësisht nuk e çuan brenda grilave, në izolim, në prill të 1981- tës.Vëllai e tij, dy vjet më i ri, Jenuz Bajra vritet në Kaçanik nga hordhitë serbe më 9 prill 1999. Ndërkaq, nipat e tij, si pjesëtarë të UÇK-së, u përballen me këto forca.Deri sa pinim në një kafene në Kaçanik i them: O aga Sali, ti je burrë i madh ! Ai ma kthen i dëshperuar: “Po çfarë burrë i madh, ore, 1 euro në xhep s’e kam…”.