16:18 / E Martë, 26 Maj 2020 / indeksADMonline

Sherifi tregon se cilat tema duhet trajtuar me prioritet në dialogun Kosovë-Serbi

Sekretari i Përgjithshëm, Bilall Sherifi, ka thënë se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyll të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve.

Por, ai ka veçuar disa tema, të cilat, sipas tij, duhet trajtuar me prioritet.

Ndër të tjera ai ka përmendur ndriçimi e fatit të mbi 1600 civilëve të vrarë nga forcat serbe, për të cilët edhe pas më shumë se dy dekada shteti serb vazhdon me logjikën e fshehjes së gjurmëve të krimit të gjenocidit!

Postimi i plotë i Sherifit:

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë Mirosllav Lajçak ka deklaruar se “Marrëveshja finale Kosovë-Serbi duhet të përmbyll të gjitha çështjet e hapura”.

Pa dyshim që marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyll të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve, në mes tyre më të rëndësishmet që duhet trajtuar me prioritet të lartë janë:

  1. Ndriçimi i fatit të mbi 1600 civilëve të vrarë nga forcat serbe, për të cilët edhe pas më shumë se dy dekada shteti serb vazhdon me logjikën e fshehjes së gjurmëve të krimit të gjenocidit!
  2. Bashkëpunimi i Serbisë për të nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që zbatuan dhunën seksuale si formë të gjenocidit ndaj mbi 20 mijë femrave shqiptare.
  3. Bashkëpunimi i Serbisë për të dëmshpërblyer viktimat e gjenocidit dhe riparimin e dëmeve të luftës.
  4. Bashkëpunimi i Serbisë për t’ia kthyer Kosovës pasurinë dhe fondet e plaçkitura!

SHBA dhe BE duhet t’ia bëjnë të qartë Serbisë se e ashtuquajtura fazë e fundit e dialogut, parim kryesor do të ketë njohjen e shtetit të Kosovës nga shteti i Serbisë. Edhe më herët është provuar të zgjidhen “çështjet e hapura” duke e lënë anash njohjen reciproke si çështje kryesore të hapur mes dy vendeve por siç e dimë pa sukses.

Prandaj, vetëm njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia do t’i hapë rrugë zgjidhjes të të gjitha çështjeve tjera të hapura mes dy shteteve. Rrugët tjera çojnë në drejtime të gabuara, ato jo vetëm që nuk do të ndihmojnë në zgjidhjen e “çështjeve të hapura” mes dy vendeve por krijon hapsirë per hapjen e “çëshjeve të mbyllura”!