11:17 / E Premte, 22 Dhjetor 2023 / mp

Shteti fut nën llupë ankesat e bizneseve

Të gjitha ato biznese që kanë konteste fiskale ndaj Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), do të trajtohen nga bordi, i cili do të funksionojë nën obrellën e Ministrisë së Financave.

Në nenin 61 të ligjit për adminiatrimin e procedurave tatimore i cili është voituar në Kuvend  thuhet: “Me këtë ligj themelohet Bordi i Ankesave në Ministri për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve të nxjerra nga Njësia e Ankesave në ATK dhe DK lidhur me çështjet tatimore dhe doganore.

 Bordi përbëhet prej një (1) kryesuesi dhe katërmbëdhjetë (14) anëtarëve, të cilët emërohen për një mandat prej katër (4) viteve, me mundësi vazhdimi edhe për një mandat të dytë.

 Anëtarët e Bordit emërohen nga Ministri pas përfundimit të procesit të përzgjedhjes sipas kritereve të parapara me këtë Ligj nëpërmjet shpalljes publike”…

Kjo sipas ish- kryetarit të ish-bordit të ankesave Skënder Kolgeci shihet si dështim eksperimental nga shteti.

“Rithemelimin e Bordit për trajtimin e ankesave të biznesve kundër vendimeve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganës e kuptoj si konfirmim të besimit të krijuar në punën e ish- Bordit të ankesave të pavarur në kuptimin e vendimeve të drejta, profesionale dhe ligjore nga ana tjetër si dështim eksperimental i politikës që e ka shuar ish-Bordin duke menduar se çështjet fiskale do t’i trajtojë me mirë gjykata kompetente pa asnjë përvojë në konteste tatimore”, tha Kolgeci.

Ai ka shtuar se komuniteti i biznesit me të kuptuar për mungesë të kompetencës profesionale të gjyqtarëve në trajtimin e lëndëve fiskale, në vazhdimësi nga politika kanë kërkuar rithemelimin e një organi administrativ në shkallë të dytë sipas modelit të ish-Bordit si organ i pavarur.

Ish-Bordi ishte themeluar me rregullore të UNMIK-ut sipas modelit austriak dhe ka funksionuar në periudhën 2002-2014 .

“Sa i përket themelimit të Bordit të ankesave brenda Ministrisë së Financave dhe trasfereve siç parashihet me ligjin e sapomiratuar konsideroj se bizneset nuk mund të marrin drejtësinë e pretenduar ku dihet se ATK-ja dhe Dogana janë brenda ombrellës së kësaj ministrie, derisa shkalla e parë e ankesave brenda vetë ATK-së dhe doganës .

Do të përkujtoj se sipas dispozitave ligjore që kanë rregulluar funksionimin e ish-Bordit të pavarur kanë paraparë që bordi do të përbëhet prej një anëtari kryesues dhe 16 anëtarë të tjerë, ku të gjithë prej tyre janë të pavarur nga Ministria e Financave, ku së paku 7 prej anëtarëve do të jenë nga komuniteti biznesor i Kosovës”, tha Kolgeci.

Ai ka shtuar se anëtarët dhe kryesuesi i Bordit janë të propozuar nga Qeveria edhe emëruar nga Kuvendi i Kosovës, derisa këto kompetenca i ka ministri i Financave .

Në krahasim me ish-Bordin e pavarur tani praktikisht Ministria e Financave vendos kontrollin e plotë mbi bordin, thotë ai.

“Konsideroj që me këtë bizneset më shumë humbin se sa fitojnë nga fakti se u shtohet dhe një procedurë administrative e ankimimit para se te iniciohet konflikti administrativ me padi ne gjykata duke e ditur se organi i shkalles se dytë do të veprojë sipas logjikës së refuzimit të ankesave dhe vërtetimit të vendimit të shkallës së parë me arsyetimin se të drejtat e tyre le t’i kërkojnë dhe fitojnë në procedura të gjykatave.

Për zgjidhjet e tilla që Bordi të funksionojë brenda ministrisë ku kryesuesi do t’i raportojë ministrit më tepër me habit heshtja e komunitetit të bizneseve odat etj. e deputetëve të Parlamentit se sa qëndrimi i Qeverise “Kurti 2” që ky propozim bie ndesh me qëndrimin e Qeverisë “Kurti 1”. Konsideroj se në suaza të zgjidhjeve të tilla ligjore me qëllim të racionalizimit të procedurave ankimore duhet te mendohet për shuarjen e divizionit te ankesave”, tha Kolgeci./Indeksonline/