14:47 / E Enjte, 14 Dhjetor 2017 / k.v

Shkrimtari Stefan Çapaliku promovon veprën e tij me dy vëllime “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” në Prishtinë (Foto)

Shkrimtari i njohur Stefan Çapaliku ka promovuar romanin e tij më të ri me dy vëllime “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” sot në Bibliotekën Kombëtare, në Prishtinë.

Të pranishëm në promovim ishin shumë prej figurave të njohura të artit dhe letërsisë në vend, si dhe përfaqësues të mediave.

Promovimi u hap nga Agim Selimi, dekan i Fakultetit të Arteve, i cili fjalimin e mbajtur e nisi me falënderime drejt autorit Çapaliku, i cili e solli këtë vepër për artëdashësit dhe të apasionuarit pas letërsisë edhe në Kosovë.

Ndërkohë, pranë tij gjendej Frano Kulli, botuesi i veprës e cila ka dalë në shitje nga Enti Botues “Gjergj Fishta” në Tiranë.

Ai në pika të shkurtra foll rreth kësaj vepre, duke cituar qytetin e Shkodrën, i cili njëherësh njihet edhe si djepi i kulturës në Shqipëri, ndaj dhe dashura e shqiptarëve të Kosovës ndaj këtij qyteti, ka qenë përherë e pakursyer.

Në foltoren promovuese të librit foli edhe Agron Shala, i cili e vlerësoi faktin se si shkrimtari në dy vëllimet e para të sagës së vet i ka trajtuar ngjarjet e përzgjedhura si lëndë artistike, të cilat më vonë kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë në mendjet e lexuesve karaktere njerëzore sa reale e absurd aq edhe ekspresioniste e sureale.

Ndërkohë, vet Stefan Çapaliku mori fjalën në fund, për të falënderuar gjithë të pranishmit për prezencën e tyre, ndërsa në retrospektivë kujtoi shkurt kohën e fëmijërisë së tij, kur kishte arritur të kishte në dorë dy librat e parë nga shtëpia botuese “Rilindja” në Prishtinë.

“Për herë të parë unë kam pas në dorë kompletet e Migjenit, e De Radës, e shumë shkrimtarëve të tjerë shumë të rëndësishëm, dhe për herë të parë kam kuptuar se çfarë është dituria, çfarë është një libër, nuk kisha prekur kurrë më parë një libër me dorë, në kuptimin material të fjalës, dhe ka qenë një frymëzim shumë i madh për mua. Një prej atyre librave që unë kisha blerë në atë kohë, sot mund të tingëllojë qesharak, por kisha blerë librin “Morfologjia e një fushate” të Rexhep Qosjes, i cili ishte një libër i ngarkuar mbi një debat, mbi një dialog, dhe ne nuk e imagjinonim në atë kohë se si mund të bëhej një debat në publik”, tha Stefan Çapaliku.

“Pra, dua të them sa më shumë që të gërmosh në kujtesë,  aq më shumë zë lidhje shumë të forta me Prishtinën. Kjo e shton dozën e kënaqësisë sime që sot ndodhem pranë jush”, tha shkrimtari i cili veprën e tij e ka të bazuar në kujtimet e fëmijërisë.

Vëllimi i parë i veprës “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” shtjellon ngjarjet në qytetin e Shkodrës, qyteti në të cilin autori Çapaliku ka kaluar fëmijërinë, duke shënuar kështu kontributin e tretë të rëndësishëm mbi qytetin. Siç besoj të gjithë biem dakord, libri i parë i çmuar për Shkodrën është “Rrethimi i Shkodrës” i Marin Barletit botuar më 1504, i dyti është “Shkodra e rrethueme” e Dom Ndoc Nikajt në vitin 1913, ndërsa vepra e tretë me radhë cilësohen këto dy vëllimet që tani i kemi në dorë.