11:57 / E Premte, 12 Gusht 2022 / k.v

Shqipëria dorëzon në KE rezolutën kundër raportit të Dick Martyt

Shqipëria ka dorëzuar në Këshillin e Evropës rezolutën kundër raportit të Dick Martyt mbi pretendimet e pabaza për tregtinë e organeve njerëzore.

Mes diskutimesh dhe debatesh, Kuvendi miratoi më 21 korrik me 125 vota pro rezolutën kundër raportit të Martyt.

Misioni i përhershëm i Shqipërisë i dorëzoi të gjitha vendeve anëtare të Këshillit të Evropës dhe vëzhguesve Rezolutën mbi pabazimin e pretendimeve për tregtinë e paligjshme të organeve të njeriut në Kosovë dhe Shqipëri, miratuar në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik, me kërkesë për t’ia dorëzuar organeve kompetente.

Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë kërkon që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të bëjë një raport pasues dhe të rishikojë Rezolutën e vitit 2011, duke rivlerësuar akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/ose Kosova.

“Në dritën e zhvillimeve të ndodhura gjatë dekadës së fundit, fakte, prova dhe informacione të përditësuara, duke marrë parasysh edhe angazhimin, vullnetin dhe bashkëpunimin e plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë. Përfaqësia e Shqipërisë kërkon nga përfaqësitë e përhershme të shteteve anëtare dhe vëzhguesit në Këshillin e Evropës që t’ua përcjellin organeve të tyre kompetente shtetërore Rezolutën mbi akuzat e pabaza për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri Përfaqësimi i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë Këshillit të Evropës shfrytëzon këtë mundësi për të ripërsëritur shprehjet e respektit të thellë ndaj përfaqësive të përhershme të vendeve anëtare dhe shteteve vëzhguese të Këshillit të Evropës”, thuhet në dokument.

Por më 22 korrik, Këshilli i Evropës, në pyetjen e Radios Evropa e Lirë, nëse do ta marrë parasysh Rezolutën e Shqipërisë, tha se Asambleja e Këshillit të Evropës mund të vendosë që të përgatisë dhe të debatojë raporte, përfshirë raporte vijuese për çfarëdo teme që bie në mandatin e këtij Këshilli.

Sakaq, kujtojmë se pak pas miratimit në Kuvend të rezolutës, reagoi dhe Rusia.  Ministria e Jashtme ruse shpreh vendosmërinë e vendit në qëndrimin e saj se personat e përfshirë në trafikim organesh duhet të dënohen./rtsh.al/