13:51 / E Enjte, 27 Janar 2022 / AR

Studimi: ‘Djali me pizhame me vija’ mund të nxisë keqkuptime të rrezikshme

“Djali me pizhame me vija” (The Boy in the Striped Pyjamas) mund të “përjetësojë një numër pasaktësish dhe gabimesh të rrezikshme” kur përdoret për t’u mësuar të rinjve rreth Holokaustit, thuhet në një raport të fundit akademik.

Sipas hulumtimit të Qendrës për Edukimin e Holokaustit në Kolegjin Universitar të Londrës, më shumë se një e treta e mësuesve në Angli përdorin librin si edhe filmin në mësimet mbi gjenocidin nazist.

Libri i John Boyne ka të bëjë me një miqësi midis djalit të një komandanti të Aushvicit dhe një djali hebre të burgosur në një kamp nazist. Botuar në vitin 2006, libri është shitur më shumë se 11 milionë kopje në mbarë botën. Një version filmik u realizua në vitin 2008.

Studimi: ‘Djali me pizhame me vija’ mund të nxisë

Hulumtimi thotë se shumë studentë, pasi studiuan historinë, arritën në përfundime që libri dhe filmi “kontribuuan në mënyrë të konsiderueshme në një nga keqkuptimet më të fuqishme dhe problematike të kësaj historie, se ‘gjermanët e zakonshëm’ mbanin pak përgjegjësi dhe në përgjithësi e kishin ‘të shpëlarë trurin’ ose ishin krejtësisht injorantë ndaj mizorive.”

Stuart Foster, drejtori ekzekutiv i qendrës, tha se ai nuk kishte asnjë kritikë ndaj Boyne për punën e trillimit të ngjarjeve, por përdorimi i romanit në mësimet rreth një ngjarje historike mund të ishte problematik. “Në një epokë me lajme të rreme dhe teori konspirative, është shumë shqetësuese që të rinjtë ushqejnë mite dhe keqkuptime rreth Holokaustit.”

Studimi: ‘Djali me pizhame me vija’ mund të nxisë

Boyne, i cili më parë e ka mbrojtur punën e tij nga kritika të ngjashme, tha për Guardian: “’Djali me pizhame me vija’ është nëntitulluar qëllimisht ‘Një përrallë’, një vepër e trilluar me një moral në qendër. Që në fillim, shpresoja se do të frymëzonte të rinjtë që të fillonin studimin e tyre për Holokaustin, i cili në rastin tim filloi në moshën 15-vjeçare dhe vazhdoi në dekadat që pasuan.

Si romancier, besoj se letërsia artistike mund të luajë një rol të vlefshëm në prezantimin e temave të vështira te lexuesit e rinj, por detyra e mësuesit është që të t’ia bëjë të qartë nxënësve se ekziston një hapësirë legjitime midis imagjinatës dhe realitetit […] Megjithëse asnjë vepër e trilluar nuk është pa të meta, unë jam jashtëzakonisht krenar për ‘Djali me pizhame me vija’ dhe mirënjohës për miliona lexues që e kanë përqafuar atë gjatë 16 viteve të fundit.”