16:12 / E Martë, 02 Nëntor 2021 / C E

Suedia luan ndeshjen vendimtare ndaj Spanjës, trajneri fton edhe Ibrahimovicin

Suedia është shumë pranë sigurimit të një bilete direkt për në Kupën e Botës Katar 2022, megjithatë vendimtare duket se do të jetë ndeshja direkte ndaj Spanjës më 14 nëntor, e cila do të përcaktojë se cila mes skuadrave do ta mbyllë fushatën eliminatore në krye dhe cila do të luajë në Play Off.

Pikërisht për shkak të rëndësisë së dy ndeshjeve, trajneri i Suedisë, Janne Andersson ka thirrur edhe sulmuesin 40-vjeçar të Milanit, Zlatan Ibrahimovic, i cili ka lënë pas dëmtimin dhe ka treguar se është në formë mjaft të mirë, duke shënuar gola për kuqezinjtë.

Emri i Ibrës është në listën që Andersson për herë të parë që prej muajit Mars, pasi më vonë 40-vjeçari humbi europianin dhe disa ndeshje eliminatore për shkak të një dëmtimi që e mbajti larg fushave të lojës.

“Prania e tij na jep më shumë qetësi dhe cilësi. Na jep mundësinë të luajmë në një mënyrë ndryshe nga ajo që tregojmë zakonisht. Jam shumë i kënaqur që është rikuperuar dhe do të jetë me ne në këtë moment vendimtar”, deklaroi Andersson.

Aktualisht Suedia kryeson grupin me 16 pikë dhe ndiqet nga Spanja me 15 pikë, ndërsa ndeshjen e parë do ta luajë në transfertë ndaj Gjeorgjisë më 11 nëntor dhe tri ditë më vonë ndaj “Furia Roja”-s në “Estadijo Olimpico” të Barcelonës.