11:02 / E Enjte, 19 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Sulmi terrorist në ndeshjen Shqipëri-Izrael një “fake news”, lirohet nga akuzat shkodrani

Në limitet e ekzistencës së saj, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur pushimin e çështjes për shkodranin Ergys Faslia, i akuzuar si pjesë e organizatës terroriste.

Ai u arrestua para ndeshjes Shqipëri-Izrael, 2 vjet më parë.

Ora News ka siguruar një kopje të këtij vendimi të organit të akuzës që mban datën 4 nëntor 2019 dhe firmën e kreut të Krimeve të Rënda Donika Prela.

Personat e arrestuar në nëntorin e 2017 në qytetin e Shkodrës u akuzuan nga prokuroria e krimeve të rënda për “vepra me qëllime terroriste”, “kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” si dhe pjesëmarrëse në “organizatë terroriste.

Por vetëm pas një viti të vuajtjes së dënimit ish-prokurori i çështjes Eugen Beci kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë për të ndaluarit si pasojë e mungesës së provave nga arrest në burg në arrest shtëpie, kërkesë kjo e miratuar nga gjykata.

Pas dy viteve në arrest shtëpie tashmë organi i akuzës pushoi çështjen në ngarkim dy shkodranëve. Në nëntor të 2017, 4 persona, dy prej të cilëve shkodranë dhe dy shtetas kosovarë u arrestuan në qytetin e Shkodrës pasi u dyshuan se po planifikonin sulm me eksploziv në stadiumin “Loro Boriçi” gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael, akuzë e cila jo vetëm që nuk u provua por rezultoi si tërësisht e pavërtetë.