20:42 / E Martë, 16 Janar 2018 / indeksADMonline

Të mbijetuarit e masakrës së Izbicës kërkojnë drejtësi (Video)

Sa herë përmendet Izbica, imazhi i parë që shfaqet në mendjen e secilit është masakra e kryer nga forcat serbe. 147 shqiptarë u vranë, të gjithë meshkuj, e pjesa dërrmuese e tyre të moshuar. Ata që i mbijetuan ferrit të para 19 vjetëve, kërkojnë drejtësi.

Bislim Bajramit nga fshati Izbicë e Skenderajt, më 27 mars të vitit 1999, forcat serbe ia vranë babanë e vëllanë. Ata bëjnë pjesë në mesin e 147 shqiptarëve të vrarë e të masakruar në këtë fshat nga forcat serbe. Bislimi thotë se pas gjithë asaj që ka ndodhur, dënimi i vrasësve do të ishte një lehtësim për familjen e tij dhe të viktimat e tjera.

Masakra e Izbicës është ndër më të tmerrshmet që kanë ndodhur në luftën e fundit në Kosovë. Pas vrasjeve, trupat e pajetë, forcat serbe i zhvarrosën duke i shpërndarë në vende të ndryshme në varreza masive në Serbi.