21:05 / E Mërkurë, 06 Qershor 2018 / indeksADMonline

Të sëmurët mendor të lënë anash nga shteti

B.C., udhëton çdo ditë në relacionin Prishtinë – Podujeve për të shkuar në punë, por përgjatë rrugës ai tash e disa ditë po rastis në një person i cili po e pengon komunikacionin duke lëvizur në mes të rrugës.

“Po e shoh çdo ditë, pjesën e lartë të trupit zakonisht e ka të zhveshur. Pak problem, se rrezik po e shkel dikush se po ec në mes të rrugës. Duket se ka probleme mendore”, u shpreh ai për Indeksonline.

Ky person i cili tash e disa ditë po shihet nga qytetarët që udhëtojnë në këtë pjesë të rrugës, nuk është i vetmi që nuk po pranon kujdes adekuat nga organet kompetente.

Sipas zyrtarëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë, institucione shëndetësore nuk kanë mandat ligjor që të marrin njerëz rrugëve dhe të dërgojnë në institucionet shëndetësore, por vetëm tu ofrojnë shërbime çdo personi që shkon vet në institucionin shëndetësor.

“Institucionet shëndetësore nuk kanë mandat ligjor të marrin njerëz rrugëve dhe të dërgojnë në institucione shëndetësore; por e kanë obligim ligjor që t’i ofroj kujdes shëndetësor çdo personi që shkon vet në institucion shëndetësor për të kërkuat shërbim dhe tretman; që aty dërgohet nga familja, rrethi, apo nga institucionet e rendit me vendime të tyre apo gjykatave të ndryshme”, janë shprehur zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ata kanë theksuan se ekzistojnë politika që synojnë uljen e prevalencës së çrregullimeve mendore dhe sëmundjeve psikiatrike, madje ka edhe strategji të miratuara për këtë çështje.

“Ministria e Shëndetësisë ka hartuar politika me të cilat synohet ulja e prevalencës së çrregullimeve dhe sëmundjeve psikiatrike përmes promovimit dhe parandalimit, zvogëlimit të rrezikut, trajtimit gjithëpërfshirës, rehabilitimin dhe ri-socializimin përmes rrjetit të institucioneve të shëndetit mendor në regjione duke integruar strukturat spitalore dhe jashtë spitalore të shëndetit mendor. Në këtë drejtim është hartuar dhe miratuar Strategjia e Shërbimeve të shëndetit mendor në Republikën e Kosovës (2014-2020)” , kanë potencuar zyrtarë nga MSh-ja.

Por ndryshe mendon, Ibrahim Arslani, nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Ai ka theksuar se është punuar shumë pak në mbrojtjen dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së personave me çrregullime mendore. Madje, ai mungesën e institucioneve e ka konsideruar si shkelje të të drejtave të tyre.

“Fakti qe nuk ka institucione të mjaftueshme për vendosjen e personave me çrregullime mendore, mund të cilësohet si shkelje e të drejtave të tyre. Ose mos kapaciteti i mjaftueshëm i institucionit për vendosjen e tyre, si është Instituti i Psikiatrisë Forensike të Kosovës”.

Sipas tij, Avokati i Popullit ka pranuar ankesa në lidhje me shkeljen e të drejtave të kësaj kategorie, madje edhe ka filluar monitorimin e qendrave ku mbahen këta persona.

“Avokati i Popullit ka pranuar ankesa në lidhje me shkeljen e të drejtave të kësaj kategorie dhe i ka trajtuar ato. Gjithashtu, edhe MKPT i Avokatit të Popullit, prej kohës se krijimit te tij, ka filluar monitorimin e rregullt te qendrave ku mbahen këta persona”, ka përfunduar Arslani.

Ndryshe, sipas statistikave llogaritet se sëmundjet me çrregullime mendore në Kosovës, renditet me 35% të sëmundjeve të përgjithshme./Indeksonline/