16:01 / E Mërkurë, 08 Mars 2023 / mp

Tolaj e vlerëson të pa suksesshëm projektligjin për çmimin e barnave

Në mbledhjen e sotshme të Qeverisë është miratuar projektligji për çmimin e Produkteve Medicinale i cili përcakton çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë, përfaqësuesit e mbajtësit të autorizimit për marketing dhe institucionet publike në Republikën në Kosovës.

Kjo nismë ligjore për ish sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj e vlerëson të pa suksesshme.

Tolaj në një intervistë për “IndeksOnline”, ka thënë se kontrollet e çmimeve kanë një histori të gjatë, por shumë të pasuksesshme. Ato kanë dëshmuar në mënyrë të përsëritur se shkaktojnë mungesa ose teprime dhe nxisin krijimin e tregjeve të zeza, ndërkohë që nuk kanë arritur të zgjidhin problemin aktual që duhej të adresonin. Ky nuk është informacion i ri. Është dhe ka qenë një parim i pranuar gjerësisht nga ekonomistët.

“Nuk kam njohuri se cilin mekanizëm do ta përdor Qeveria e Kosovës për kontrollin e çmimeve të barnave. Rregullimi i çmimeve nga qeveri të vendeve të ndryshme në Evropë dhe ne botë, përdoret për të ulur çmimet farmaceutike. Padyshim  qe ky është qëllimi edhe i Qeverisë së Kosovës. Qasjet për rregullimin e çmimeve të barnave përfshijnë kontrollin e rritjes së çmimeve, çmimet referente, çmimet e negociuara, çmimet e bazuara në kosto plus, çmimi i bazuar në vlerë, çmimi përmes tenderëve dhe prokurimi i bashkuar. Megjithatë, asnjë nga kombinimet e politikave të përdorura në këto vende nuk ka dhënë shkallën e kufizimit të shpenzimeve që çdo qeveri ka dëshiruar”, ka shtuar Tolaj.

Ai ka shtuar se në rastin më të mirë, këto qeveri kanë pasur sukses të përzier ndërkohë që çmimet farmaceutike ishin të kufizuara, shpenzimet totale të barnave vazhduan të rriteshin megjithëse me ritme të ndryshme në secilin vend.

“Duhet pranuar faktin se sistemi farmaceutik i Kosovës është në gjendje kaotike, ndikimi i kompanive distributore farmaceutike në qeveri është i paskrupullt e me përmasa kriminale, kurse Qeveria e Kosovës nuk i ka as mekanizmat e as gatishmërinë që të përballet si e sa duhet me ketë problematike. Në vend që të rregullojë tregun farmaceutik dhe ti kontrolloje çmimet e barnave, ky vendim i Qeverise mund të  krijojë raporte klienteliste dhe favorizuese për kompani distributore të caktuara, duke i ndëshkuar qëllimisht të tjerat”, thotë Tolaj.

Ai ka shtuar se edhe në të kaluarën ka pasur përpjekje për ti kontrolluar çmimet e barnave, por efektet kanë qenë të papërfillshme dhe afatshkurtra, si pasojë e raporteve jo të shëndosha mes autoriteteve dhe tregtarëve të barnave. “Për këtë arsye edhe askush nuk i kujton për të mirë  as ministrat e as masat që i kanë ndërmarr ata në këtë drejtim”, ka shtuar Tolaj.

Ndryshe sot ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka thënë se miratimi i këtij projektligji konsiderohet me një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetësi publike duke ofruar qasje më të përballueshme të popullatës në barnat e nevojshëm, dhe i njëjti është parakusht për themelimin e sistemit të rimbursimit të barnave si dhe krijon një infrastrukturë transparente dhe kosto-efikase për furnizimet e institucioneve shëndetësore publike me produktet medicinale të nevojshme për funksionimin e tyre.

 “Përfituesit e drejtpërdrejt të këtij Ligji, do të jenë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët do të mbrohen nga shpenzimet e larta për barna dhe produkte të tjera mjekësore me çmime të pa-përballueshme, që për pasojë për gjatë tërë këtyre viteve kanë pasur kanë varfërimin e tyre. Të dhënat nga raportet zyrtare tregojnë se nga totali i shpenzimeve në shëndetësi, rreth 39% të tyre janë shpenzime apo pagesa nga xhepi i qytetarëve.  Brenda këtij 39% të shpenzimeve nga xhepi i tyre, qytetarët një pjesë të tyre i kanë shpenzuar për barna dhe pjesën tjetër për shërbime shëndetësore. Sot, përmes miratimit të këtij projektligji, i cili do të shkojë në Kuvendin e Kosovës, ne duam të shkëputemi nga kjo praktikë e keqe dhe t’u japim institucioneve tona dhe qytetarëve tonë instrumentin më adekuat për t’u mbrojtur nga abuzimet dhe kostot e larta të shpenzimeve për produkte vitale, siç janë barnat”, tha Vitia në një konferencë për media./IndeksOnline/