14:56 / E Hënë, 06 Maj 2024 / L K

Tragjedia e nënës me 3 fëmijët, qytetarët e Shkodrës hedhin lule në Bunë

Në atë që njihet dhe festohet si dita e luleve në Shkodër, qytetarë të qytetit dhe përfaqësues të bashkisë kanë marshuar në urën e Bunës dhe kanë hedhur lule në ujërat e lumit, aty ku humbi jetën një 9-vjeçare dhe ku dyshohet të jenë mbytur edhe nëna dhe 2 fëmijët e tjerë.

Teuta Qyteza, nënkryetare e Bashkisë Shkodër shprehu solidarizimin e gjithë qytetit për humbjen e rëndë të jetëve të pafajshme, ndërsa bëri thirrje të denoncohet dhuna edhe kur nuk ndodh brenda dyerve të shtëpisë sonë.

“Jemi sot të gjithë se bashku, në këtë ditë që Shkodrës i fali 6 majin ditën e luleve në kërkim të disa luleve që u shkëputën tragjikisht nga jeta. 6 maji në Shkodër festohet me fëmijë, lule, me këngë, recitime, por sot të gjithëve u mungonte diçka thelbësore shpirtërore. Është ky kërkim që vazhdon ende të bëhet sepse ende nuk janë gjetur tre trupa, për të cilën asgjë s’na ndalon të shpresojmë se mund t’i gjejmë gjallë, por është gjetur Eriselda që sot përcillet në banesën e fundit. Si nënë si grua si përfaqësuese e bashkisë Shkodër ndihem shumë e trishtuar dhe e pikëlluar… Lutemi për Eriseldën dhe që nëna me dy fëmijët e tjerë të gjenden shëndoshë e mirë”, tha ajo.