14:49 / E Mërkurë, 17 Prill 2024 / k.v

Vazhdon i mbyllur për publikun gjykimi ndaj katër të të akuzuarve për fajde

Po vazhdon të jetë i mbyllur për publikun gjykimi ku Enver Avdullahu bashkë me Rrahim Sallahun, Fatlum Abazin dhe Bujar Avdullahun, ngarkohen se duke shfrytëzuar pozitën materiale të të dëmtuarit Kushtrim Musliu, gjatë periudhës 2011-2015, i kishin dhënë atij borxh shuma të ndryshme të parave, në të cilat shuma edhe kishin marrë fajde.

Pas tetë seancave të dështuara, në seancën e nëntë me radhë, më 5 shkurt 2024 ishin plotësuar kushtet për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, megjithatë me kërkesën e të dëmtuarit Musliu, ishte përjashtuar publiku në gjykimin për fajde.

E mbyllur për publikun me të njëjtën arsye, ka vazhduar edhe të mërkurën seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Naser Foniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë rast, seancat e caktuara më 16 janar 2023, 14 shkurt 2023, 16 mars 2023, 17 maj 2023, 8 qershor 2023, më 17 korrik 2023, 5 shtator 2023 dhe 20 tetor 2023 kishin dështuar të mbahen.

“Betimi për Drejtësi”, më 26 nëntor 2022, kishte transmetuar emisionin me titull “Gjykatësi “fle” mbi lëndën e fajdesë”, ku ishte trajtuar fakti se kishin kaluar afro 5 vite që kur ishte mbajtur seanca e fundit për këtë rast dhe nuk ishte caktuar asnjë seancë. Pas hulumtimit të “Betimit për Drejtësi”, KGJK më 31 gusht 2023 i kishte shqiptuar vërejtje publike me shkrim gjyqtarit Naser Foniqi se zvarriti për afro 5 vite lëndën e fajdesë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në prill të 2016-ës, ka ngritur aktakuzë kundër Enver Avdullahut, Rrahim Sallahut, Fatlum Abazit dhe Bujar Avdullahut, nën dyshimin se duke shfrytëzuar pozitën materiale të të dëmtuarit Kushtrim Musliu, gjatë periudhës 2011-2015, i kishin dhënë atij borxh shuma të ndryshme të parave dhe mjete motorike, në të cilat shuma kishin llogaritur dhe marrë fajde. Këto fajde, sipas aktakuzës, në borxhin që i dëmtuari e ka marrë, i janë llogaritur në shuma javore, mujore, të cilat sipas aktakuzës, disa herë kishin kaluar shumën e parave të marra borxh.

Me këtë, Enver Avdullahu, Rrahim Sallahu dhe Fatlum Abazi po akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Fajdesë” nga neni 343, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo ku kryerësi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.

Kurse, Enver Avdullahu dhe Bujar Avdullahu po akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Fajdesë” nga neni 343, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.