09:21 / E Hënë, 21 Nëntor 2022 / B O

Xhaka mund të sanksionohet shkaku i shiritit të kapitenit

Simboli “Një dashuri” po mbjell përçarje në Kupën e Botës. Shiriti i kapitenit të cilin do ta vendos Xhaka dhe disa kapitenë të tjerë kombëtaresh ka bërë bujë në Katar. FIFA e ndalon atë, por Zvicra dhe vende të tjera duan të vazhdojnë ta mbajnë. Çfarë sanksionesh ka?

Kombëtarja e Zvicrës dhe disa pjesëmarrës të tjerë të Kupës së Botës duan të luajnë me shiritin e kapitenit “One Love” (Një dashuri) dhe kështu të jepnin një shembull për dashuri universale dhe respekt të ndërsjellë mes të gjithë njerëzve, pavarësisht nga origjina, feja, pikëpamjet politike apo orientimi seksual.

Por shiriti i kapitenit ​​mesa duket është një gjemb në këmbë për FIFA-n. Organizata ka diçka kundër këtij aksioni solidar të këtyre kombëtarëve. Kjo nuk është e gjitha: FIFA gjithashtu ka kërcënuar me pasoja nëse kapitenët ende vendosin të mbajnë shiritin me sloganin “One Love”.

FIFA argumenton se mesazhet politike janë të ndaluara. Kapiteni i Francës, Hugo Lloris nuk do të mbajë shiritin me sloganin “One Love” për arsye personale.

Kombëtarja e Zvicrës, megjithatë nuk dëshiron të tërhiqet.

“Që tani, ne synojmë të qëndrojmë me atë shirit të kapitenit,” tha për Blick zëdhënësi i federatës zvicerane, Adrian Arnold. “Korrespondon saktësisht me vlerat që ne mbrojmë brenda dhe jashtë fushës: respektin, tolerancën dhe solidaritetin”.

Siç shkruan Blick, është shumë e mundur që kapitenët të cilët mbajnë këtë shirit në krah, të sanksionohen me kartonë brenda fushës dhe të suspendohen. Kjo ende nuk është konfirmuar, por bazuar në burime të gazetës zvicerane Blick brenda federatës, thuhet se ky skenar është i mundshëm.

Në këtë avaz, Granit Xhaka do të merrte një karton të verdhë përpara ndeshjes kundër Kamerunit. Nëse e vendos atë sërish kundër Brazilit, do të suspendohej për ndeshjen e tretë ndaj Serbisë.

Por, zëdhënësi i Federatës Zvicerane të Futbollit nuk dëshiron të hyjë në spekulime për dënimin e mundshëm. “Tani presim të shohim se çfarë do të komunikojë FIFA”, thotë ai.

Xhaka e ka mbajtur shiritin në krah në miqësoren e fundit ndaj Ganës dhe dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve.

Holanda, Uellsi, Anglia, Danimarka dhe Gjermania gjithashtu duan të vazhdojnë të mbajnë shiritat e kapitenit me sloganin “One Love”.