17:58 / E Mërkurë, 21 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Azem Vllasi: Duhet ta falënderojmë Malin e Zi për mundësinë e dhënë

Marrëveshja e re e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi e nënshkruar nga dy presidentët, Hashim Thaçi dhe Filip Vujanoviq, ka ngjallur reagime të ashpra te opozita malazeze.

Sipas opozitës në këtë vend fqinj, kjo marrëveshje mund ta rrezikojë qasjen e bashkësisë ndërkombëtare karshi Malit të Zi.

“Ndryshimi i marrëveshjes për demarkacionin me Kosovën ligjërisht dhe praktikisht është i papërshtatshëm. Pra, në qoftë se e njëjta bëhet edhe në vepër perspektiva mund të çojë vendin në tensione serioze”, ka thënë deputeti malazez, anëtar i partisë “Fronti Demokratik”, Milun Zogoviq.

Por në Kosovë, veprimi i Vujanoviqit po vlerësohet lartë dhe tejet mirënjohës.

Analisti politik Azem Vllasai ka thënë në emisionin Imazh në RTK se para nënshkrimit të marrëveshjes së re për demarkacion me Malin e Zi kishte sugjeruar që marrëveshja të ishte në dy gjuhët zyrtare.

Ai ka thënë se kishte propozuar një gjë të tillë një ditë para se presidenti Hashim Thaçi të udhëtonte për në Podgoricë për të nënshkruar marrëveshjen, transmeton Indeksonline.

“Kjo u zhvillua si shpejt dhe u bë mirë, pasi një ditë ose dy kryeministri malazez ishte në Kosovë për vizitë. Duhet falënderuar Malin e Zi për mundësinë që i ka dhënë Kosovës për korrigjimin e marrëveshjes për demarkacion. Kur e pash tekstin, si qytetar u gëzova thash më në fund gjetëm një rrugëdalje nga kjo temë, me të cilën jemi bllokuar tash e tri vite dhe kemi bllokuar edhe qytetarët, kemi prishur imazhin e vendit, për cka shpërtheu marrja në Kuvend, mu bë qejfi”, ka thënë Vllasi.

Sipas tij, është për t’u përshëndetur veprimi i palës malazeze që pranoi të bëj një gjë të tillë, duke i hapur rrugë Kuvendit ta ratifikoj këtë deklaratë.

“Ajo deklaratë e përbashkët ka peshën e vet, sepse pala tjetër na ka ndihmuar dhe janë pajtuar që t’i vihet pikë kësaj çështje. Tani qeveria e ka aprovuar ligjin për ratifikim, kjo juridikisht qëndron drejt dhe dallon nga ai i pari i vitit 2015. Atë kohë plasi marrja e belaja dhe çështja mbeti aty ku ishte, u bë gazi i botës me këtë temë. Tani ligji për ratifikimin e marrëveshjes ndryshon për aq sa përmendet deklarata e dy presidentëve dhe komisioni i Shpëtim Bulliqit”, ka thënë tutje Vllasi.

Ai vlerëson se pas ratifikimit, dy qeveritë e qesin një komision të përbashkët dhe e korrigjojnë pjesën që mendohet se është gabuar më parë.

“Nuk ka pasur nevojë Të humbet kaq shumë kohë për këtë temë, edhe po të votohej më herët do të gjendej një zgjidhje për demarkacionin. Nesër kundër mund të votojnë vetëm ata që punojnë kundër interesave të shtetit të Kosovës, sepse votimi pro na nxjerr nga kriza dhe ecim përpara, qytetarët do të marrin frymë më lehtë, edhepse korrupsioni mbetet çështje e hapur. Votimi pro është në interes të shtetit, qytetarëve dhe duhet të kaloj, kurse ata që do të votojnë kundër duhet ta shohin vetën se ku janë por s’besoj që do të gjejnë ndonjë argument kundër”, ka shtuar Vllasi