16:32 / E Martë, 15 Maj 2018 / indeksADMonline

Bytyqi: “Java e shkencës 2018” mbledh shkencëtarët që po na bëjnë krenarë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marr pjesë në konferencën “Java e Shkencës 2018”, e cila mbledh shkencëtarët e rinj të vendit.

Në një postim në Facebook, Bytyqi ka shkruar se në këtë konference po rritet vazhdimisht pjesëmarrja dhe ka interesim të madh për të.

Ky është postimi i Bytyqit:

Sot, ka filluar punimet Konferenca jubilare „Java e shkencës 2018“, e cila pasqyron të arriturat e Kosovës dhe rajonit në fushën e shkencës për periudhën njëvjeçare.

Në hapjen e kësaj Konference urova pjesëmarrësit të cilët me veprimtarinë e tyre hulumtuese-shkencore do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

„Java e shkencës“ paraqet rrjetëzim të shkencëtarëve të rinjë nga Kosova dhe rajoni, të cilët po na bëjnë krenarë me paraqitjen e tyre çdo herë e më cilësore.

Është shënuar rritje e vazhdueshme e pjesëmarrjes. Në vitin 2017 kishte rreth 320 autorë dhe bashkautorë nga shtatë vende të rajonit dhe Evropës. Masivizimi i tillë ka realizuar qëllimin e parë, ndërsa këtë vit dhe vitet në vijim fokusi do të përqendrohet në rritjen e cilësisë së punimeve shkencore të paraqitura dhe në ndërkombëtarizimin e kësaj ngjarje me vlerat e prezantimit.

Paraqitja dhe prezantimi i punimeve shkencore në të ardhmen do të bazohet në standardet ndërkombëtare. Kontributi shkencor i kësaj Konference po shënon një ngritje të vazhdueshme vit pas vit, e cila është arritur me anë të ngritjes së mekanizmave të recensentëve dhe vlerësimeve të Konferencës, si dhe mekanizmave për recensimin e kumtesave të cilat janë pjesë e këtyre prezantimeve.

MAShT-i do të krijojë rrethana mbështetëse për veprimtarinë kërkimore-shkencore, duke përmirësuar bazën ligjore dhe nënligjore dhe ngritur nivelin e financimit të kësaj veprimtarie.

Puna kërkimore dhe shkencore u vlerësua edhe nga pjesëmarrësit tjerë të kësaj Konference, si mjeti më i fuqishëm i avancimit të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.

Punimet e kësaj Konference do të zhvillohen në seanca të ndara në të cilat do të prezantohen punimet hulumtuese-shkencore edhe në tri ditët e ardhshme 16, 17 dhe 18 maj 2018.