20:43 / E Martë, 13 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Dega e LDK-së në Drenas drejt shuarjes

Sikurse herëve të kaluara, edhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 2017-tës, kandidatët shpenzuan mijëra euro për të promovuar vetën.

Për një rast të tillë, një pjesë e Kryesisë së LDK-së në Drenas, kanë akuzuar kryetarin e degës, Bedri Nika se vitin e kaluar ka bërë shpenzime marramendëse gjatë fushatës.

Disa anëtarë të degës së LDK-së në Drenas kanë thënë për Indeksonline  se Nika në zgjedhjet e fundit ka shpenzuar rreth 10 mijë euro për fushatë, borxh të cilin nuk ua ka paguar dy kompanive private të Drenasit “Fer Petrol” dhe “Altini”.

Si pasojë, këto dy kompani kanë arrit që këtë borxh ta realizojnë përmes përmbaruesve privat, duke tërhequr këto mjete nga llogaria bankare e LDK-së në qendër.

“Këto shpenzime bëhet e ditur shumica janë shfrytëzuar nga familjarët e Bedriut, ngase Kryesia Degës nuk e ka mbështetur kandidaturën e tij për kryetar dhe bartës të listës. Si rrjedhojë ai është ranguar i fundit nga kandidatët për kryetar të Drenasit duke marr vetëm 430 vota apo gati tri herë më pak se ish kryetari i degës Izet Abdyli i cili në zgjedhjet e vitit 2013 kishte 1160 vota”, thuhet në reagimin e disa anëtarëve të LDK-së në Drenas.

Bedri Nika i kontaktuar nga Indeksonline ka thënë se nuk ka informata për këtë çështje, duke e quajtur të pavërtetë.

“Absolut s’është e vërtet, ushqimin e derivatet i ka paguar LDK-ja në qendër që i ka pas përsipër, janë 1 mijë e 100 euro në fushatën e fundit. Nuk ka pas shpenzime tjera, s’është aspak e vërtet. LDK-ja jam unë në Drenas, nuk po disha sen për këtë punë. Këto janë fjalë koti të atyre që pretendojnë se janë LDK e kanë punuar krejt për parti tjera, në fakt janë munduar ta shkatërrojnë LDK-në edhe në fillim të fushatës zgjedhore, ata janë kundër LDK, asnjë fjalë e tyre nuk është e vërtet”, ka thënë Nika.

Për tërheqjen e rreth 10 mijë eurove nga llogaria e LDK-së në Qendër, Indeksonline ka kontaktuar me Lutfi Zharkun, përgjegjës për financa i Lidhjes Demokratike të Kosovës .

Ai duke mos dashur të komentoj këtë gjë, ka thënë se është çështje e brendshme.

“Kjo është çështje e jona e brendshme”, ka thënë shkurt Zharku. I pyetur se a mund ta konfirmoj apo mohoj një gjë të tillë, Zharku tha: “Jo asnjërën se them”.

Nika pas zgjedhjeve të fundit lokale ka humbur mbështetjen e elektoratit gjë që tregon fakti se, edhe pse kanë kaluar katër muaj ai nuk ka arritur të mbaj asnjë takim me kryesi të degës e as me kryetarë të nëndegëve.

“Si duket edhe kryesia qendrore tash është e bindur pas dëmtimit që i ka bërë buxhetit në qendër dhe ka vendos të mos paguaj qiranë e lokalit për këtë degë e cila pothuaj është në shuarje dhe barra e përgjegjësisë i takon edhe Kryesisë qendrore e cila është treguar e paaftë dhe e papërgjegjshme për tu ballafaquar me problemet e kësaj dege duke i dhënë mbështetje njeriut që e dërgoi drejt fundosjes këtë degë”, thuhet tutje në reagim.

Sipas disa burimeve, kryesia e kësaj dege së shpejti do të dal me një kumtesë për mosnjohje për kryetar të degës së Bedri Nikës  dhe për pushim të aktivitetit të saj./Indeksonline/