14:14 / E Diele, 24 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Deputeti i VV-së: Për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale PDK duhet t’i përmbushë disa kushte

Një deputet i Vetëvendosjes ka thënë se Partia e themeluar nga Ibrahim Rugova në vazhdimësi ka qenë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Xhelal Sveçla ka thënë se edhe tash me rastin e Gjykatën Speciale, LDK po e mban qëndrimin e njëjtë. Ky zyrtar i Vetëvendosjes ka kushtëzuar votën e partisë së tij për rrëzimin e Speciales me rrëzimin edhe të demarkacionit e asociacionit.

Deklarimet e Dardan Molliqajt se Albin Kurti ishte pro një bashkëpunimi me PDK’në po dalin të sakta.

Vetëvendosje po vazhdon akuzat ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe udhëheqësve të saj.

Kështu, Xhelal Sveçla po thotë se Partia që udhëheq më tetë komuna gjithmonë ishte kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shkas për këtë konstatim, Sveçla e ka marrë qëndrimin e Isa Mustafës për të mos e zhbërë Gjykatën Speciale përmes ndryshimeve ligjore të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Sot PDK duket se po trembet nga GjS dhe po bën kërkesë për shfuqizimin e ligjit për GjS. Qëndrimi i LDK nga ana tjetër është si zakonisht kundër UÇK, edhe pse vetë këta e kanë mbajtur në pushtet PDK-në për shumë vite, dhe e kanë bërë Thaçin president”, ka shkruar Sfeçla, në një reagim në FB.

Sidoqoftë, ky deputet i Vetëvendosjes ka thënë se për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale duhet PDK t’i përmbushë disa kushtet, ndër ta edhe largimin e Hashim Thaçit nga pozita e Presidentit.

Po ashtu, ai ka thënë se duhet shfuqizuar edhe marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi dhe marrëveshjen për Asociacionin e Komunave e arritur në Bruksel me Serbinë.

“Vetëm kështu do të krijohej klima për mobilizim e kohezion shoqëror që të mirremi me problemet e mëdha që mundojnë këtë vend. Me Hashim Thaqin të sigurt e kemi vetëm dështimin e Kosovës. Pa te e klikën e tij mbrojmë Kosovën dhe luftën e shenjtë të UÇK-së”, ka shtuar ai.

Raportet ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK’së kishin qenë të mira kur ishin bërë bashkë kundër PDK’së për ta bërë Ramush Hareadinajn Kryeministër.

Ndryshe, të premten mbrëma,  43 deputetë kanë kërkuar shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, por kanë dështuar pasi Kryesia e Parlamentit s’ka pasur kuorum për të vazhduar procedurën më tutje. Kundër kësaj nisme kanë dalë LDK e Vetëvendosje.

Pas kësaj nisme kanë qëndruar Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, të cilët mund të jetë të akuzuarit potencial të kësaj Gjykate, e themeluar për t’i hetuar pretendimet e Dick Martyt, i cili bën përgjegjës udhëheqësit e UÇK’së për krimet në luftë e pasluftës