15:46 / E Enjte, 12 Korrik 2018

Drejtori i Urologjisë që kërkoi ryshfet në arrest shtëpiak

Drejtori i Klinikës së Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Rexhep Kasumi i cili u arrestua për marrje ryshfeti në vlerë prej 100 eurosh nga një pacientë, është vendosur në arrest shtëpiak.

Vendimin për këtë masë të sigurisë e ka marrë Gjykata e Apelit duke hedhur poshtë vendimin për paraburgim prej 30 ditësh të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të marrë më 7 korrik të këtij viti.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka aprovuar ankesën avokatit mbrojtës, kundër caktimit të masës së paraburgimit prej 30 ditësh, nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit R.K. Aktvendimi i gjykatës së shkalles se parë i datës, 07.07.2018, është ndryshuar. Të dyshuarit, masa e paraburgimit i është zëvendësuar më atë të arrestit shtëpiak”, thuhet në njoftimin e Apelit për media.

Kasumi po dyshohet nga ana e prokurorisë për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Marrje e ryshfetit”, nga neni 428 i këtij kodi. “Gjykata e Apelit, vlerëson se edhe masa e arrestit shtëpiak, është e mjaftueshme për të parandaluar rrezikun e ikjes, ndikimit në dëshmitarë, dhe rrezikun e përsëritjes se veprës penale”, përfundon njoftimi për media.

Temat: