21:01 / E Hënë, 16 Korrik 2018 / indeksADMonline

Fati i kësaj kategorie në “duart” e Qeverisë për t’u liruar nga pagesa doganore!

Shumë qytetarë të Republikës së Kosovës po vazhdojnë që veturat e tyre personale t’i importojnë nga vendet e Bashkimit Evropian. Mirëpo, sfida e tyre kryesore mbetet akciza e lartë ku në shumë raste mbërrin gjysmën e kostos së një veture të blerë që duhet paguar për to, e që është një detyrim ligjor i nxjerrë nga organet shtetërore.

Ndonëse u fol shumë se kategoria e familjeve të dëshmorëve do të lirohet nga pagesat doganore, një gjë e tillë ende nuk po realizohet nga ekzekutivi dhe deputetë të legjislativit.

Deri tani kategoritë që lirohen nga ky detyrim janë personat me nevoja të veçanta, invalidët e luftës si dhe disa të tjera.

Lidhur me këtë çështje, Kryetari  i Shoqatës së familjarëve të dëshmorëve, Xhavit Jashari në një prononcim për Indeksonline ka treguar se deri ku ka shkuar ky proces i rëndësishëm për ta.

Sipas Jasharit, kërkesa për  implementim të Ligjit është bërë, por që siç thotë ai nuk po aprovohet nga Qeveria e vendit.

Më tutje, ai ka shtuar se ekzekutivi iu ka dhënë arsyetim se Ligji në fjalë nuk po aprovohet për shkak të implikimeve buxhetore.

“Kërkesa është bërë, me ligj parashihen këto sene, është në kompetencën e Qeverisë dhe deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës. Njëherë nuk është duke u zbatuar kjo pjesë e ligjit por megjithatë varet nga Qeveria po besojë që Qeveria duhet me zbatu ligjin komplet qysh është aprovu në parlamentin e Republikës së Kosovës që në lirimin nga këto çështje të doganës parashihet në ligjin  për vlerat e luftës në atë L/54 që është për Familje të dëshmorëve, invalidë të luftës  dhe kategorive të tjera. Po për shkak të arsyetimit që ka implikime buxhetore  nuk është duke u implementu, kërkesa jonë është që të implementohet”, ka thënë Jashari për Indeksonline.

Më tej, ai shton se këtë çështje do ta shqyrtojnë në ditët në vijim me Qeverinë. Por sipas tij, nëse nuk vendoset diçka konkrete, atëherë Jashari thotë se reagimet nuk do t’i ndalin deri sa të realizohen të drejtat e tyre në përputhje me Ligjin për këtë kategori.

Ndërkaq, Indeksonline ka kontaktuar edhe zëdhënsin e Doganës, Adriatik Stavileci, i cili ka konfirmuar shkurt se familjet e të dëshmorëve nuk lirohen nga pagesat doganore, sipas tij, ngjashëm me këtë janë invalidët e luftës, të cilët lirohen.

Ndryshe, lirimet për automjetet janë të përcaktuara me ligj. Kushtet për lirim të plotë nga detyrimet e importit, mjetet e transportit parashihen nga neni 331 deri tek 338./Indeksonline/