10:57 / E Martë, 13 Shkurt 2018

Hetime për emërimin e shërbyesve të lartë civil, flet Kusari-Lila

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka mbledhur nënshkrimet e deputetëve të Kuvendit, sot gjatë seancës solemne që u mbajt për nder të vizitës së presidentit slloven, Borut Pahor.

Kusari-Lila ka sqaruar për Indeksonline se arsyeja e nënshkrimeve është formimi i një Komisioni Hetimor për shkak të emërimeve që po i bën Qeveria, në poste të larta në administratë.

“Inicimi i Komisionit Hetimor ka të bëjë edhe me emërimin e anëtarëve të bordeve në ndërmarrjet publike në përgjithësi dhe shkeljet që po i bën qeveria gjatë këtyre emërimeve duke vendosur aty militantë partiakë dhe joprofesionist”, është shprehur ajo.

Tutje, Kusari-Lila ka bërë të ditur se lidhur me rastin ka pasur reagime edhe nga Komisioni Evropian. Ata kanë vënë në pikëpyetje ndihmën prej 75 milionë eurove, në rast se këto manipulime nuk ndalen.

“Me këtë rast ka reaguar edhe Komisioni Evropian duke vënë në pikëpyetje ndihmën prej 75 milionë eurove në buxhetin e shtetit për shkak të moszbatimit të kritereve nga ana e Qeverisë”, ka thënë ajo./Indeksonline/