16:37 / E Mërkurë, 26 Shtator 2018 / indeksADMonline

Hoti i kundërpërgjigjet zv/kryeministrit Hoxhaj thotë se po bën akuza naive

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti i është kundërpërgjigjur zv/kryeministrit të vendit, Enver Hoxhaj i cili deklaroi se opozita kosovare i ka thënë jo liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Hoti ka deklaruar se  në takimin e sotëm me përfaqësuesit e të gjitha vendeve të BE-së, është bërë e ditur se LDK-ja mbështet fuqishëm agjendën euro-integruese të Kosovës dhe si opozitë kanë mbështetur reformat dhe marrëveshjet në mes Kosovës dhe BE=së që burojnë nga MSA-ja.

Deputeti Hoti ka thënë se akuza naive e Hoxhajt dëmton rëndë besimin në mes të pozitës dhe opozitës në të vetmen çështje në të cilën kanë dhënë përkrahje të parezervë, transmeton Indeksonline.

Hoti ka përmendur poashtu se opozita kishte thirrur seancë të jashtëzakonshme për marrëveshjet që burojnë nga MSA-ja dhe kanë votuar të gjitha.

Postimi i plotë:

Në takimin e sotëm me përfaqësuesit e të gjitha vendeve të BE-së, i kam siguruar se LDK-ja e mbështet fuqishëm agjendën euro-integruese të Kosovës. Si opozitë kemi mbështetur reformat dhe marrëveshjet në mes të Kosovës dhe BE-së që burojnë nga MSA-ja. Ne si opozitë kemi thirrur seancë të jashtëzakonshme për marrëveshjet që burojnë nga MSA dhe i kemi votuar të gjitha.

I falënderova për mbështetjen në Parlamentin Evropian pro liberalizimit të vizave dhe kërkova që sa më parë të përmbyllet kjo çështje edhe në Këshillin e Ministrave, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos mbesin të vetmit në Ballkan që nuk mund të lëvizin lirshëm.

Për temën e dialogut me Serbinë, kërkova që të respektojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës, shprehur përmes të gjithë përfaqësuesve të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës, se tërësia territoriale e Kosovës është e pacenueshme dhe nuk mund të jetë pjesë e dialogut. Dialogu mbetet i vetmi mekanizëm për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe gjuha nxitëse duhet të dënohet.

Akuza naive dhe e bazuar e zv.Kryeministrit Hoxhaj dëmton rëndë besimin në mes të pozitës dhe opozitës në të vetmen çështje në të cilën ne kemi dhënë përkrahje pa rezervë.