15:00 / E Diele, 25 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Institucionet vënë nën kontroll ndikimin e ISIS-it në Kosovë

Vitet e fundit bota u përball me ekstremizëm e radikalizëm, ku shumë shtete morën masa për të sfiduar këtë dukuri. Një nga to është edhe Kosova pasi shumë kosovarë iu bashkëngjitën luftës përkrah ISIS-it. Mirëpo, me punën e institucioneve dhe të OJQ-ve, ky problem duket se është vënë nën kontroll.

Njohës të sigurisë, vlerësojnë se terrorizmi nga ISIS-si ka rënë, po ashtu ka rënë edhe numri i të indoktrinuarve në këtë rrymë radikaliste.

Eksperti i këtyre çështjeve, Drizan Shala për Indeksonline ka numëruar faktorët të cilët kanë ndikuar në këtë rënie.

“Është faktike që institucionet relevante si ato represive po mbi gjitha ato preventive kanë rezultuar me sukses që ky problem të vihet aq sa mundet nën kontroll. Në ketë rrënje apo futje nën kontroll ka ndikuar BIK-u ,Institucionet edukative , konferencat, kjo ishte në fazën preventive. Ndërsa. edhe Institucionet si AKI-ja dhe Policia kanë rezultuar të jenë efikase në gjetjen e personave dhe organizatave që kanë ndikuar në indoktrinimin e rinisë kosovare” është shprehur Shala për Indeksonline.

Ai ka shtuar se Kosova ka avancuar edhe në aspektin legjislativ sa i përket kësaj çështje.

“Në aspektin legjislative Kosova ka avancuar bukur mirë me ligjet që kanë rezultuar nga hetimet paraprake sikur : a. Ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. b. Ligjin për ndalimin e bashkimit në konflikt të armatosur jashtë territorit të Kosovës. Sa i përket asaj a ka tani shtrirje terrorizimi mendoj që Kosova sikur vendet tjera të rajonit mundet të atakohet nga ky fenomen vetëm si vend transit i atyre personave që do mund të kryhen ndonjë sulm në Evrope” ka shtuar Shala.

Ndërsa, profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami për Indeksonline është shprehur se çështja e terrorizmit ka nisur të mos jetë temë e rëndit të ditës.
“Çështja e terrorizmit jo vetëm në rajon, por edhe me gjerë ka filluar të mos jetë temë e rëndit të ditës, qoftë në forume të ndryshme, qoftë në agjenda ndërkombëtare, për shkak se vet në bazën qendror apo në vend të ashtuquajtur kalifat me anë të intervenimit të forcave aleancës euroatlantike, konkretisht Amerikës, të cilët ishin të interesuar të mos e formojnë një shtet terrorist kanë dikuar drejtpërdrejt që të zvogëlohet numri i indoktrinuarve të zvogëlohet. Realisht, pas shkëputjes me lindjen e mesme pas një punë të shkëlqyer të institucioneve të Kosovës, organizatave, ka ardh deri të vetëdijesimi i njerëzve të Kosovës dhe është parë si diçka e gabuar dhe që është e huaja” ka thënë Islami.

Ai ka shtuar se puna e palodhur e institucioneve dhe sensibilizimi i opinionit ka ndikuar që numri i shkuarjes së kosovarëve në Siri të zvogëlohet.

“Unë mendoj se thjesht shkëputja me vendet arabe, dhe humbja e kalifatit në aspektin ushtarak e ideologjik ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në Kosovë që të mos ketë interesim të shkojnë në ato vende. Dhe në anën tjetër, puna e palodhur e institucioneve të Kosovës, OJQ-ve, pastaj sensibilizimi i opinionit ka bërë që numri i zvogëluar në minimum. Kosova nuk ka qenë target i sulmit , sepse Kosova nuk ka qenë vend me ndikim. Terroristët të cilët marrin sulme, ata thjesht marrin në vendet që janë me ndikim ne politikat gjeostrategjike botëror” ka shtuar Islami për Indeksonline.

Sipas statistikave të fundit, në Siri e Irak ndodhen ende edhe 196 kosovarë; 133 janë kthyer nga zonat e konfliktit, një pjesë e tyre janë gjykuar dhe po vazhdojnë të përballen me drejtësinë në Kosovë.

Në mesin e 405 xhihadistëve kosovarë, 95 prej tyre janë fëmijë, 41 të lindur në Siri e Irak, ndërsa 58 prej tyre kanë shkuar me prindër.
Ndërsa, këtë javë janë raportuar dy kosovar të vdekur në luftën përkrah ISIS-it./Indeksonline/