11:21 / E Mërkurë, 05 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Grabitjet e armatosura, analistët vlerësojnë shkaqet dhe masat parandaluese

Rritja e numrit të grabitjeve në Kosovë ka shtuar dyshimet në lidhje me sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Madje, për më pak se dy javë kanë ndodhur disa grabitje të armatosura, e dy prej tyre edhe në vende të frekuentuara nga qytetarët, siç janë bankat.

Sipas Policisë së Kosovës vetëm në periudhën janar – tetor kanë ndodhur 4 mijë e 92 raste të vjedhjeve, e prej të cilave 59 raste janë të grabitjeve të armatosura.

“Gjatë kësaj periudhe kohore (janar-tetor) në regjionin e Prishtinës kanë ndodhur  59 raste te Grabitjeve të armatosura” thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Indeksonline.

E kjo gjendje po konsiderohet si shqetësuese nga Profesori dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami. Sipas tij, qeveria dhe i gjithë spektri politik është fokusuar në çështje të tjera duke lënë anash kështu pjesën e sigurisë dhe mbrojtën e jetës së qytetarëve.

“Një fenomen i cili kohën e fundit është shpërfaq më tepër se vitet e kaluara është vjedhja të thjeshta dhe të armatosura ose plaçkitjet në mënyrë të organizuar. Duke u marr me gjëra të mëdha siç është demarkacioni apo bisedimet me Serbinë, sikur është lënë mbas dore e ruajtja e jetës dhe pronës së qytetarit e cila po rrezikohet çdo ditë me anën të plaçkitjeve të armatosura prej grupeve të strukturuara kriminale” është shprehur Islami.

Islami ka propozuar që për të siguruar qytetarët dhe pronën e tyre, duhet që të merren masa duke filluar me rishikimin e masave të sigurisë.

“Kohën e fundit konsiston se janë rreth 60 raste të grabitjeve të armatosura ose vjedhje të rënda, në të cilat realisht rrezikohet jeta dhe prona e qytetarit. Pra, duke e pasur parasysh trendin e rritjes të këtij fenomeni, propozoj që të merren masa adekuate që të ruhet jeta dhe prona e qytetarit” ka thënë Islami.

Sipas tij, fillimisht duhet të vendosen kamera të sigurisë në kryeqytet dhe qytetet e tjera të Kosovës dhe të rritet patrullimi i Policisë së Kosovës.

“ Nën një është urgjente vendosja e kamerave të sigurisë tredimensionale në të gjitha pikat kyçe të qyteteve, pastaj rritja e numrit të patrullimeve të policisë së Kosovës në mënyrë që bandat e organizuara dhe strukturuara kriminale të cila po kryejnë vjedhje të zihen”

Islami ka theksuar se vendosja e kamerave jo vetëm që do të ndihmonte në monitorim dhe uljen e numrit të grabitjeve, por edhe në uljen e kostos për operacionet që zhvillon Policia e Kosovës.

“Vendosja e kamerave të sigurisë bënë që një oficer i policisë të monitoroj një pjesë të qytetit nga zyra e tij, pra edhe do të zvogëlohej kostoja e policisë edhe do të ruhet jeta dhe prona e  qytetarit të Kosovës, për shkak të plaçkitjeve të armatosura të cilat kanë rrezikuar jetën e pronarëve dhe qoftë edhe atyre që kanë tentuar të plaçkitin” ka përfunduar Islami.

Kurse eksperti tjetër i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi është shprehur se gjendja e sigurisë në Kosovë po vazhdon të jetë e tillë si pasojë e ndërhyrjeve nga jashtë.

“Edhe vjedhjet e armatosura, por edhe rritja e dukurive negative në përgjithësi ( trafikimi me qenie njerëzore dhe prostitucioni, me narkotik, me arme) janë pasojë e ndërhyrjeve nga jashtë.

Sipas tij, ndërhyrjet e tilla dhe elitave te dobëta politike po ndikojnë në prokurorinë dhe gjyqësorin.

“Si pasoj e ndërhyrjeve nga jashtë dhe elitave te dobëta politike prokuroria dhe gjyqësori nuk po arrite te konsolidohen. Përkundër pagave qe marr sektori i prokurorisë dhe gjyqësori, përkundër investimeve që kanë bërë partnerët ndërkombëtar në këto sektorë, veçanërisht SHBA, këto nuk po konsolidohen, vazhdojnë te sabotojnë funksionalizimin e shtetësisë se Kosovës” ka thënë Kajtazi.

Madje, Kajtazi një pjesë të fajit ia ka hedhur edhe qeverisë, duke thënë se po të ishte më e përgjegjshme ngjarje të tilla nuk do të ndodhnin.

“Një qeveri e përgjegjshme, por jo si kjo e cila nuk po mund të gjej zyra për ministrat dhe zëvendësministrat e shumtë, një qeveri qe ndal trendet e zhvillimeve negative, konsolidon radhën e institucioneve zbatuese të ligjit, krijon premisat për zhvillim ekonomik te vendit, krijon besim te qytetari se jeta ka kuptim ne këtë vend me histori fatkeqe” është shprehur njohësi i çështjeve të sigurisë, Kajtazi.

Policia e Kosovës po ashtu ka njoftuar se janë goditur 13 grupe kriminale, të cilat dyshohen të qenë të përfshira në këto raste dhe janë anë arrestuar 32 persona.

Sipas tyre, vetëm në banka kanë ndodhur gjashtë raste të grabitjeve, prej tyre janë shtatë persona të dyshuar dhe nga ta janë arrestuar tre persona.

Ndryshe, grabitja e fundit që ka ndodhur ditën e hënë në filialin e bankës BKT që gjendet në lagjen Veternik në Prishtinë, ku si pasojë e kësaj grabitje ka mbetur i lënduar sigurimi i bankës./Indeksonline/