23:01 / E Mërkurë, 07 Mars 2018 / indeksADMonline

Kushtet e Listës Serbe për demarkacionin, të prira nga Beogradi

Pa u bindur se demarkacionin me Malin e Zi do e votojnë deputetët e Listës Serbe, Kuvendi i Kosovës nuk do të thirrë seancë për ta ratifikuar këtë marrëveshje.

Ndërsa, është e ditur se serbët udhëzimet i marrin nga Beogradi. Kështu ka thënë për Indeksonline, profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Mazllum Baraliu.

Sipas tij, Lista Serbe të gjitha kalkulimet i bën në Beograd dhe si e tillë, ajo del me kushte që kërkon t`i miratohen në shkëmbim të votës për demarkacionin.

“Në qoftë se do ta bindin Listën Serbe që të votohet, e Listën Serbe e bind vetëm Beogradi që të votojnë, atëherë mund të votohet shumë shpejtë. Pritet që të votohet, mirëpo është shumë e rëndësishme që kalkulimet eventuale, kërkesat eventuale të Listës Serbe të cilat janë kërkesa edhe të Beogradit, janë të prirura që të miratohen e të përmbushen si i kërkon Lista dhe Beogradi, siç është Asociacioni i Komunave Serbe, e që ka mbi 23 gabime në atë marrëveshje”, ka thënë ai.
Baraliu ka folur rreth kërkesës së re të serbëve, e që është formimi i një komune të re. Kështu, ai ka shtuar se deputetët duhet të mendojnë mirë se çka po veprojnë.

“Është një kërkesë tjetër si duket, që nuk po bëhet publike, formimi i një komune të re, te Prilluzha, në fshatrat afër. Këto kërkesa janë objekt i marrëveshjes eventuale. Do të duhej menduar mirë secili deputet se çka po ndodhë, sa marrin përgjegjësi që të votohet ky variant. Mendoj që nuk janë të gjithë deputetët të bindur për ta bërë këtë, por nëse bindet Lista Serbe, atëherë mund të kalojë”, është shprehur ai.

Ndryshe, është raportuar se fshatrat që mund ta formojnë komunën e re janë Prilluzha, Plemetini, Babin Mosti dhe Graca, që aktualisht i takojnë komunës së Vushtrrisë dhe Obiliqit.

Kujtojmë se në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se nëse i kishin pasur votat, do e thirrnin seancën për demarkacionin./Indeksonline/