10:25 / E Martë, 25 Shtator 2018 / indeksADMonline

Megjithëse nuk i kanë dërguar ftesë, VV mendon se PSD duhet të jetë pjesë e protestës

Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka bërë ftesë Partisë Sociale Demokrate që t’i bashkohet protestës gjithë-popullore, të thirrur nga ta më 29 shtator.

Një ftesë të tillë ata e kanë bërë për partinë tjetër opozitare Lidhjen Demokratike të Kosovës, por jo edhe për partinë, krerët e të cilëve dikur ishin anëtarë të vet VV-së.

Në një prononcim për Indeksonline, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Arbërie Nagavci ka treguar pse ata nuk e kanë bërë një ftesë të tillë.

Sipas saj, kur PSD është ndarë nga VV, ata janë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në organizimin e protestave, prandaj edhe nuk e kanë parë të arsyeshme që t’i bëjnë një ftesë të tillë tani.

“PSD në momentin që janë ndarë prej VV-së janë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në organizim të protestave, meqenëse ata nuk do marrin pjesë në organizim, besoj nuk është e nevojshme që t’ju dërgohet një ftesë dhe është hipokrizi edhe prej anës së tyre në rast se kërkojnë t’i thërrasim”, ka deklaruar Nagavci.

Megjithatë, ajo pret që më 29 shtator, në protestën paqësore të thirrur nga ta, do bashkohen subjektet tjera politike, duke përfshirë këtu edhe PSD-në.

“Në protestën paqësore mbarë qytetare të organizuar nga VV, besojmë se do të kemi përfaqësues të subjekteve tjera politike, por edhe deputetë dhe përfaqësuesë të partive që janë në opozitë, dhe besojmë se presioni që do të jetë në rritje edhe nga ana e qytetarëve do të jap një drejtim të duhur. Gjithsesi edhe PSD do duhej të ishte pjesë e protestës”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi përmes një postimi në rrjetin e saj në facebook, ditë më parë ka deklaruar se nuk mund të marrin pjesë në organizimet partiake në të cilat ata nuk janë ftuar. Megjithatë ata besojnë se vetëm një opozitë e bashkuar mund të ndal aventurat e presidentit, Hashim Thaçi.

“Nuk mund të shkojmë prapa organizimeve partiake, në të cilat nuk jemi ftuar dhe rrjedhimisht nuk jemi te njoftuar me qëllimin dhe synimin e atij organizimi. Aventurat e Hashim Thaçit mund të ndalen vetëm bashkë, me opozitë të bashkuar, e në bashkërendim me strukturat e gjera shoqërore dhe me qytetarët. E kundërta i konvenon vetëm projektit të tij.

Ndërsa, LDK nuk e ka pranuar ftesën publike të VV-së për pjesëmarrje në protestën e së shtunës.

Kryetari i saj, Isa Mustafa pati deklaruar se nuk do marrin pjesë në protestë pasi që nuk i shohin ende si mjet për ta ndaluar një ide si ajo e korrigjimit të kufijve. Ai ka deklaruar se ka ende forma tjera për t’u ndalur./Indeksonline/