08:27 / E Diele, 15 Tetor 2017 / indeksADMonline

Ministri Lluka takon drejtuesit e Bankës Botërore, diskutojnë për projekte konkrete

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi, Cyril Muller dhe zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Zhvillim të Qëndrueshëm, Laura Tuck.

Si pjesë e delegacionit nga Kosova bën pjesë edhe Ministri i Financave, Bedri Hamza, ndërsa ata po shoqëroheshin edhe nga Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, njofton kjo ministri.

Në këtë takim Ministri Lluka kishte kërkesa shumë konkrete për financimin e projekteve zhvillimore në Kosovë, me fokus të veçantë projektin e Termocentralit “Kosova e Re”, projektin për Agrobiznes dhe projektin e Ekonomisë Dixhitale në fushën e teknologjisë informative.

“Kreu i MZHE-së nga ana e tij, njoftoi drejtuesit e Bankës Botërore me ecurinë e zhvillimit të projekteve që mbështeten nga ky institucion financiar në Kosovës, siç janë ato në sektorin e energjisë, ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese, respektivisht rritjen e efiçiencës së energjisë”.

“Ministri Lluka ka falënderuar drejtuesit e Bankës Botërore për ndihmën e vazhdueshme që po i japin vendit tonë me synim arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, duke theksuar se kjo mbështetje është e domosdoshme për zhvillimin e sektorëve të lartpërmendur”, thuhet në komunikatë.

Ministri Lluka po qëndron në SHBA në kuadër të delegacionit të Republikës së Kosovës, i cili po merr pjesë në takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që po mbahen në Uashington.