12:13 / E Martë, 10 Korrik 2018 / indeksADMonline

Miratohen në parim ligji për konfiskimin e pasurisë dhe i mbrojtjes së sinjalizuesve

Komisioni për legjislacion i Kuvendit të Kosovës ka miratuar në parim dy projektligje të rëndësishme.

Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskim të pasurisë dhe ai për mbrojtjen e sinjalizuesve, fillimisht gjatë diskutimeve morën vrejtje kryesisht nga deputetet e partive opozitare.

Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se dallimi në mes ligjit që ka sjell qeveria dhe atij të propozuar nga subjekti i tij politik është tek neni që rregullon barrën e provës.

“Unë e kam konsultuar çdo dokument që thirret qeveria dhe ky projektligj i ik thelbit që e ka pru gjendjen në Kosovë në lidhje me Korrupsionin. Në BE ka një koncept që është ngrirja e pasurisë që nuk ka nevojë për një vendim gjyqësor dhe pastaj të merret vendimi. Projektligji që është paraqit nuk e  parasheh pikërisht këtë moment”, tha Kurteshi, raporton Insajder.

Kurse Korab Sejdiu, deputet i LDK-së, tha se bazuar në përmbajtjen e ligjeve, duhet hequr e drejta Ministrisë së Drejtësisë që të thirret në ekspertë.

“Unë duke e pas parasysh “kualitetin” e ligjeve që po vijnë nga Ministria e Drejtësisë, kisha me jua heq të drejtën me u thirr në ekspertë, sepse po i shohim se si janë. Projektligji që e kemi këtu flet për konfiskimin e pasurisë pas vendimit të gjykatës, projektligji i Vetëvendosjes nuk është sot në shqyrtim flet për diçka tjetër, për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar. Andaj mos ti ngatërrojmë”, ka deklaruar Sejdiu.