12:13 / E Premte, 13 Korrik 2018 / indeksADMonline

Tahiri e Konjufca sqarohen lidhur me ligjin për konfiskimin e pasurisë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, duke prezantuar para deputetëve projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë, ka deklaruar se në projektligjin e ri veprat penale janë shtuar dukshëm.

Sipas tij, ky projektligj avancon politiken shtetërore për konfiskimin e pasurisë në mënyrë të paligjshme, transmeton Indeksonline.

“Projektligji i ri ka sjellë disa risi të mëdha, të cilat do t’i përmendi shkurtimisht e para veprat penale janë shtuar dukshëm. Në këtë projektligj renditja e veprave penale ku parashihet konfiskimi i pasurisë janë, veprat penale të krimit të organizuar, veprat penale të korrupsionit, veprat penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, veprat penale kundër shëndetit publik, veprat penale trafikimit të qenieve njerëzore, veprat penale lidhur me konfliktet të armatosura jashtë territorit të vendit, veprat penale të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, veprat penale që lidhen me substancat narkotike dhe armët, veprat penale me kibernetike ,ato kundër ekonomisë së vendit, kundër pronës dhe kundër ambientit, pra kemi një listë më të gjerë të veprave penale për të cilat institucionet e sistemit të drejtësisë do të mund të ushtrojnë  procedurën e konfiskimit” ka thënë ai në foltoren e Kuvendit.

Mirëpo, Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca është shprehur se për shkak të sistemit të dobët të drejtësisë, qytetarët kanë parë personat që brenda kohe të shkurtër të bëjnë pasuri dhe se në Kosovë nuk konfiskohet pasuria në mënyrë të paligjshme.

Kështu, Ministri Tahiri siç shihet në këto pamje të Indeksonline është munduar tia sqaroj Konjufcës se si me projektligjin e ri janë shtuar veprat penale.

Projektligji është mbështetur nga komisionit për legjislacion dhe grupi parlamentar të PDK-së.