09:14 / E Premte, 10 Gusht 2018

Nis detektimi i lokacioneve të dyshuara për varreza masive në Serbi

Këtë javë ka nisur vlerësimi i tri lokacioneve të dyshuara për varreza masive në Serbi. Hulumtimi po bëhet me detektor sonar, aparat i siguruar nga Qeveria e Kosovës përmes një projekti të Kombeve të Bashkuara.

Lajmin e ka konfirmuar për Radio Kosovën, koordinatori për çështjen e të zhdukurve në Qeverinë e Kosovës, Jahja Lluka. Ai tha se pas përfundimit të punës në Serbi, në këtë formë do të vlerësohen edhe disa lokacione të dyshuara në Kosovë.

Ka nisur detektimi i tri lokacioneve të dyshuara për varreza të mundshme masive në Krizhevak dhe Jellovishtë të Serbisë, përmes një radari të specializuar për një gjë të tillë, i cili është siguruar nga një projekt i Kombeve të Bashkuara.

Ai tha se ky është një radar i posaçëm tokësor i cili incizon gjendjen e ndryshimit të përbërjes tokësore ndërsa, rezultatet i jep një ekspert në Argjentinë.

“Në këto dy lokacione nuk presim ku me ditë çka sepse Serbia nuk është shumë e interesuar, por ne kemi informacione për një pozicion tjetër në Jellovishtë, ku po shpresojmë që, meqë kanë qenë dje të befasuar nga koordinatat që i kemi ne me disa dëshmitarë, po shpresojmë se do të ketë njerëz tonë të cilët janë zhdukë gjatë luftës”, tha Lluka

Ndërsa, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, Arsim Gërxhaliu, tha për Radio Kosovën se është hera e parë që po përdoret një detektor i tillë, i cili e bënë incizimin në thellësi të tokës.

“Thjeshtë presim rezultate të leximeve të cilat me ndihmën e ekspertëve të profilit të lartë që i lexojnë këto incizime të shohim se a mund të detektohen por prapë se prapë krejt varet prej asaj se sa do të ketë edhe informacione të sakta të atyre lokacioneve për prezencën apo mosprezencën e mbetjeve kockore”,tha Gërxhaliu.

Detektori i siguruar nga Kombet e Bashkuara do të qëndroj deri në fund të javës në Serbi, derisa nga java e ardhshme pritet të bartet në Kosovë për të hulumtuar pjesë të dyshuara për varreza masive.

Mirëpo, sipas Jahja Llukës, plani i hulumtimeve për Kosovë, nuk është bërë ende dhe se i njëjti pritet të publikohet ditëve në vijim.