17:18 / E Hënë, 28 Maj 2018 / indeksADMonline

Pas versionit të Policisë, kështu reagon Milaim Zeka

Pas versionit të Policisë së Kosovës për rastin e Milaim Zekës që ndodhi në Rrugën B në Prishtinë,  ka reaguar deputeti i Kuvendit.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, e ka quajtur lajm të rrejshëm se dikush ka tentuar ta kidnapojë atë para një jave.

“Lidhur me lajmin e rrejshëm se gjoja dikush ka tentuar te me kidnapoi me datën 17. Lajmi nuk është aspak i vërtetë. Policia ka pasur dyshime për një makinë, rasti është ne polici, dhe policia po merret me të. Falënderoj Policinë e Kosovës për reagimin profesional dhe korrekt”, ka shkruar Zeka.

Ndryshe, Policia e Kosovës për Indeksonline  ka sqaruar se më  17 maj është  raportuar rasti nga ana e ankuesit M.Z.

“Me rekomandimin e Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar si ngacmim dhe Policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat që e karakterizojnë atë.

Nga hetimi preliminar ka rezultuar se vetura nga e cila është ndjerë i shqetësuar ose i ngacmuar ankuesi, ka qenë duke u drejtuar nga një i mitur, i cili pasi është ndaluar nga policia është konstatuar se nuk ka poseduar patentë shoferi për drejtim automjeti”,  ka thënë zëdhënësi i Policisë Agron Borovci./Indeksonline/