21:54 / E Diele, 28 Janar 2018 / indeksADMonline

Policia bën të ditur ecurinë e hetimeve për rastin Ivanoviq

Janë bërë afro dy javë që nga dita kur në veri të Mitrovicës u vra lideri i Iniciativës Qytetare Serbe ‘Liri’Demokraci’Drejtësi’, Oliver Ivanoviq.

Por edhe pas gjithë këtyre ditëve, asnjë person nuk është arrestuar.

I kontaktuar nga Indeksonline, zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, Besim Hoti ka bërë të ditur se nuk është arritur të arrestohet ende askush.

“Nuk është arrestuar ende askush”, ka thënë Hoti.

Gjithashtu Hoti ka shtuar se hetimet e këtij rasti nga Policia janë duke u zhvilluar me dinamikë e nën udhëheqje të Prokurorëve të caktuar.

Ivanoviq u vra të martën e 16 janarit para zyrës së tij në veri të Mitrovicës, përderisa në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një veturë e djegur e cila dyshohet të jetë përdorur nga kryesit e veprës në fjalë.

Ndërsa duhet cekur se zbardhjen e këtij rasti janë duke e kërkuar të gjitha institucionet e Kosovës si dhe ato serbe.

Shteti serb ndër të tjerash ka bërë disa kërkesa që të bëhet pjesë e hetimeve të këtij rasti gjë të cilën e kanë kundërshtuar institucionet e Kosovës.

Gjithashtu Ministri i Drejtësisë në Kosovë, Abelard Tahiri ka theksuar se kërkesat i janë bartur kryeprokurorit të rastit dhe se çdo shkëmbim i informacioneve do të shkojë përmes dy ministrive asaj të Kosovës dhe të Serbisë.

Vrasja e Ivanoviqit bëri që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq të vizitojë qytetarët serb në Kosovë përderisa dialogu Kosovë-Serbi u ndalua në momentin e vrasjes së tij ku delegacioni serb kishte vendosur që menjëherë të ktheheshin në vendin e tyre./Indeksonline/