Ministrja e Drejtësisë në Serbi tregon detaje rreth intervistimit të Radojiçiqit
Prokuroria në Serbi ka vepruar në drejtim të të gjitha kërkesave të Prishtinës dhe ka dëgjuar të gjithë ata që u deklaruan lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviq, kështu ka deklaruar sot, ministrja e Drejtësisë në Serbi, Nela Kuburoviq, duke shtuar se dje ka dëgjuar edhe të dyshuarin Millan Radojiçiq, në mënyrë që sipas saj të hiqen të gjitha dyshimet se ai mori pjesë në vrasje.
Sipas Kuburoviq, autoritetet kosovare nuk treguan qëllim të vërtetë për të zbuluar autorët dhe organizatorët e vrasjes së Ivanoviq-it. Sipas saj ka vetëm një mënyrë komunikimi me Prishtinën lidhur me këtë rast dhe ka të bëjë me leximin e kërkesave të tyre.
“Autoritetet serbe do të vazhdojnë të kryejnë hetimet. Sigurisht është e vështirë kur ju nuk keni qasje në të gjitha të dhënat, por unë besoj se kjo nuk duhet të dekurajojë autoritetet tona për të vazhduar hetimet dhe për të marrë të dhëna të sakta, lidhur me vrasjen”, ka shtuar ministrja serbe, transmeton Indeksonline.
Ajo shtoi poashtu se Beogradi nuk do të refuzojë asnjë bashkëpunim, që tregon qëllimin e vërtetë për të zbuluar të vërtetën e vrasjes së udhëheqësit të Iniciativës SDP.
“Prishtina do të marrë të gjitha të dhënat që iu duhen, por sigurisht edhe unë pres që të marrë një përgjigje nga ana e kundërt, sepse padyshim është i nevojshëm shkëmbimi i të dhënave” ka shtuar Kuboroviq.
Ajo rikujtoi se Prishtina ka refuzuar të kryejë veprimet hetimore bashkë me Beogradin, kërkesa që u hodh poshtë edhe nga EULEX-i.
Tutje ministrja serbe deklaroi se Serbia i është përgjigjur çdo kërkesë, por që e njëjta nuk ndodhi nga Prishtina.
Reagime të shumta erdhën lidhur me vrasjen e liderit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, pasi të premten e javës së kaluar Njësia Speciale e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale kryen një aksion në veri të Mitrovicës ku arrestuan katër persona. Por nga ky aksion arriti të arratiset i dyshuari kryesor për këtë vrasje, Millan Radojeçiq./Indeksonline/