14:22 / E Martë, 24 Korrik 2018 / indeksADMonline

Policia e Kosovës themelon ”TASK FORCË” për parandalim të aksidenteve në trafikun rrugor

Duke iu referuar situatës shqetësuse gjatë kësaj periudhe lidhur me aksidentet në trafik dhe pasojat e tyre në shkaktimin e humbjes së jetëve njerëzore, marrë për bazë shtimin e numrit të automjeteve, duke përfshirë edhe pjesmarrësit tjerë në trafik të të gjitha kategorive, Policia e Kosovës ka marrë masa serioze shtesë, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë, parandalimin e aksidenteve të trafikut dhe zbatimin e ligjshmërisë në funksion të menaxhimit dhe kontrollit të trafikut rrugor.

Apelet, fushatat vetëdijësuese, veprimet operacionale policore, qasja e institucioneve tjera relevante që kanë rol dhe ndikim në ndryshimin e kësaj gjendje në trafik, shfaq nevojën e krijimit të mekanizmave shtesë për të kontribuar për një siguri edhe më të madhe nëpër rrugët tona. Dhe për këtë qëllim Policia e Kosovës nga sot ka themeluar “TASK FORCËN” për parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor.

Qëllimi kryesor i kësaj TASK FORCE është që përmes komandës dhe kontrollit të ndikohet direkt në parandalimin e aksidenteve të trafikut rrugor, duke angazhuar sa më shumë personel policor nga niveli qendror dhe ai lokal, duke përfshirë edhe stafin udhëheqës të Policisë.

Plani veprues dhe parandalues i kësaj ”TASK FORCE” parasheh përfshirjen, koordinimin dhe bashërendimin e njësiteve të ndryshme në terren, në pika kontrolli, akse rrugore, si dhe aplikimin e metodave të ndryshme të avancuara nga njësitet policore, për arritjen e parandalimit të aksidenteve në tërësi e në veçanti të atyre me pasoja fatale. Gjithashtu, për të arritur dinamikën e ndikimit tek shoferët pjesmarrës në trafik do të aplikohet “ZERO tolerancë ndaj të gjithë kundërvajtësve”.

Për një efekt parandalues-pozitiv të këtyre angazhimeve dhe masave operative të planifikuara, Policia e Kosovës kërkon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e posaçërisht te shoferët/drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë rregullat që dalin nga Ligji i trafikut rrugor, të respektojnë shenjat e trafikut, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe në veçanti t’i përmbahen shpejtësisë së lejuar, pasi që vetëm në këtë mënyrë kontribuojnë për një siguri më të madhe nëpër rrugët e vendit tonë dhe evitojnë humbjen e panevojshme të jetëve njerëzore.