18:32 / E Premte, 20 Korrik 2018 / indeksADMonline

Reagon OVL-UÇK në Pejë ndaj suspendimit të policëve, ish-ushtarë të UÇK-së

Inspektorati  Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë që të suspendojë 94 pjesëtarë të saj, për arsye se të njëjtit kanë probleme me shëndet mental, që të gjithë invalid të luftës.

Mirëpo, lidhur me këtë ka reaguar OVL-UÇK në Pejë. Sipas komunikatës, ata janë kundër suspendimit nga puna të policëve ish ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton ‘Indeksonline’.

Më tutje, në reagimin e tyre  thuhet se OVL UÇK, Pejë, kërkon nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, që të mos suspendojë nga puna policët dhe oficerët e PK-së (ish Ushtar të UÇK-së), sipas propozimit të bërë nga Inspektorati i Policisë, vetëm për shkak se ata marrin pension invaliditeti të luftës.

“Ne kërkojmë që këta policë të amnistohen, të paktën deri sa Komisioni Mjekësor Invalidor i formuar në fund të vitit 2017, të rivlerësojë gjendjen e tyre shëndetësore dhe të rivlerësojë shkallën e tyre të invaliditetit.

Secili invalid i luftës, përfshirë edhe ata që deri më tani gëzojnë pension Invalidor, do të vlerësohet para këtij komisioni, e ne jemi optimist se shumë bashkëluftëtarë, tani më janë shëruar dhe gëzojnë shëndet të mirë.

Ne shpresojmë që Drejtoria e Policisë, do e pres vendimin e rivlerësimit të tyre nga Komisioni Mjekësor, para se të marë çfarë do vendimi në lidhje me çështjen”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së në Pejë.

Ndryshe, IPK ka treguar edhe arsyen e rekomandimit të tyre që i kanë dhënë policisë lidhur me pjesëtarët në fjalë.

“Arsyeja e rekomandimit është, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore duke ju referuar dokumentacionit të tyre që i kanë paraqitur pranë komisionit mjekësor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Institutit të Psikiatrisë Forensike. Për shkak të dokumentacionit të tyre shëndetësor të paraqitur pranë komisionit mjekësor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është dëshmuar se të njëjtit kanë probleme shëndetësore të natyrës psiqike”, thotë IPK-ja./Indeksonline/