19:16 / E Premte, 25 Maj 2018 / indeksADMonline

Shpërthimi i rezervarëve të naftës, kryeprokurori Beka tregon se kush do të intervistohet!

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet me rastin e shpërthimit të zjarrit në rezervarët e naftës së kompanisë së “Al Petrol” në Fushë Kosovë.

Në një prononcim për “Indeksonline”, Kryeprokurori i Themelores, Imer Beka ka treguar hapat që do t’i ndërmarrin lidhur me këtë rast.

Beka është njoftuar për më shumë detaje përkitazi me rastin nga prokurori kujdestar, Rexhep Maqedonci që ishte në vendin e ngjarjes, së bashku me policinë e vendit.

Ai ka bërë të ditur se do të intervistohen disa persona, duke përfshirë edhe pronarin e kompanisë, Latif Kryeziun.

“Nga vendi i ngjarjes janë marrë të gjitha provat e mundshme, kurse tani ka mbet që të merren në pyetje edhe të gjithë personat përgjegjës”, ka thënë Beka për Indeksonline.

Ndryshe, shkaktimi i madh i zjarrit erdhi pasi punëtorët kanë qenë duke e pastruar fillimisht një rezervarë pastaj ka ardhur deri te përfshirja e rezervarëve tjerë.

Kujtojmë, se nga kjo situatë kanë pësuar lëndime disa persona, ku njëri prej tyre është në gjendje të rëndë shëndetësore edhe pas nënshtrimit të operacionit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Kirurgu plastik, Adem Kllokoqi ka thënë për Indeksonline se pas operimit që i ka bërë të lënduarit tani është nën kujdesin intensiv në QKUK.

“Është një djegie e rëndë, është një sipërfaqe prej 80 për qind. Pra nuk është djegie sipërfaqësore por është djegie e thellë dhe është i rrezikuar për jetë. Edhe po të jetë në qendrën më të madhe në botë për trajtimin e djegieve ajo që kemi bërë në sallë të operacionit nuk bëhet ndryshe”, ka thënë Kllokoqi.

Ngjarja ka shkaktuar dëme në njerëz,  dëme të mëdha materiale, po ashtu edhe pasoja ekologjike.

Më poshtë shikoni pamjet e kësaj ngjarje që i realizoi Ekipi i “Indeksonline”:

/Indeksonline/