10:18 / E Premte, 29 Qershor 2018 / indeksADMonline

Shtyhet sërish seanca ndaj Azem Sylës

Seanca gjyqësore në rastin e njohur si “Toka” ku i akuzuar është ish-deputeti i PDK-së Azem Syla dhe të tjerët është shtyrë, kjo pasi sipas kryetarit të trupit gjykues Beqir Kalludra nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e saj. Seanca është shtyrë për datën 12 korrik.

Gjyqtari Beqir Kalludra, me fillimin e seancës konstatoi prezencën dhe mos mos-prezencën e të akuzuarve. Prezent në sallë ishte edhe prokurori i Prokurorisë Speciale Abdulrrahim Islami.

“Me qenë se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës, trupi gjykues merr vendim se shqyrtimi i sotëm i kësaj seance të shtyhet. Seanca tjetër do të mbahet me 12 korrik në orën 9:00”, tha kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra.

Që në fillim, avokati i të akuzuarit Azem Syla, Besnik Berisha th ase klienti i tij është rrugës duke ardhur në Gjykatë.

“Azem Syla është rrugës tu ardh se ka shku policia me e marrë”, tha avokati Berisha.

Gjyqtari Kalludra tregoi se për të akuzuarin Azem Syla Gjykata ka lëshuar urdhër përcjellje.

“Azem Syla mungon për të cilin gjykata kë lëshuar urdhër përcjellje nga policia, i njëjti është në ardhje e sipër për në gjykatë”, tha Kalludra.

Sipas gjyqtarit Beqir Kalludra, i akuzuari Shaban Syla, mungon dhe se gjykata ka prova se ai është ftuar.

“I akuzuari Shaban Syla, mungon, gjykata ka prova se ai është ftuar dhe është konfirmuar ardhja e tij nga familjarët, i njëjti gjendjet në vuajtje të dënimit për vepra të tjera penale dhe mbrojtja e tij është avokatja Adelina Shabani”, konstatoi gjyqtari Kalludra.

Ndërsa, i akuzuari Shpresim Uka dhe Fahredin Gashi ishin prezent në gjykatore.

I akuzuari tjetër Ilaz Syla, nuk ishte prezent në sallë, i njëjti ndodhet në arrati.

“Ilaz Syla mungon, kundër të njëjtit është caktuar masa e paraburgimit, dhe nga koha e aktvendimit edhe pse gjykata ka lëshu fletarrest ndaj të njëjtit, ai gjendet në arrati ndërsa mbrojtësi i tij është në sallë”, tha Kalludra.

Siç raportoi një ditë më parë KALLXO.com, për më shumë se katër muaj qëkur EULEX-i njoftoi se do ta transferoj lëndën tek gjyqtarët vendorë,  pritej që sot e premte 29 qershor të rifillonte procesi gjyqësorë ndaj Azem Sylës dhe të akuzuare tjerë.

Më 20 shkurt të këtij viti, kryetari i trupit gjykues i EULEX-it Petko Petkov, njoftoi se kjo lëndë është transferuar tek gjyqtarët vendorë.

Një vendim të tillë prokurori i EULEX-it që përfaqësonte këtë lëndë e pati quajtur “përfundim i rastit”.

Pak kohë pasi rasti u transferua tek vendorët, gjyqtari vendor e liroi nga masa e paraburgimit Azem Sylën, ndërsa këtë vendim e ndryshoi Gjykata e Apelit duke i vendosur masën e arrestit shtëpiak.

Saktësisht më 12 mars të këtij viti Kallxo.com raportoi se Azem Sylës i ishte ndërprerë paraburgimi.

Ndërsa javë më pas, Gjykata e Apelit, ia ndryshoi vendimin e Themelores duke e kthyer në arrest shtëpiak.

Në lidhje me këtë rast në fazën e hetimeve janë mbajtur afër 20 seanca gjyqësore, janë dëgjuar dy dëshmitarë të mbrojtur, ndërsa si rrjedhojë e ndryshimit të trupit gjykues, ky rast rrezikon të rikthehet që në fillim dhe rrjedhimisht dëshmitarët duhet të dëgjohen përsëri.

Në rastin e njohur si “Toka”, Azem Syla dhe të tjerët akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria Speciale më 25 tetor 2016  ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Temat: