75 Mall Live Search
19:18 / E Diele, 02 Shtator 2018 / indeksADMonline

Nesër vazhdon seanca gjyqësore për Azem Sylën

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK dhe ish komandanti i UÇK’së, Azem Syla, do të dalë nesër para gjyqit bashkë me grupin e tij në procesin gjyqësor në rastin e tjetërsimit të dyshimtë të tokave në periferi të Prishtinës.

Lajmin për vazhdimin e seancës në rastin toka e konfirmoi për KALLXO.com, avokati i Azem Sylës, Besnik Berisha.

Azem Syla, së bashku 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në lidhje me tjetërsimin e tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës, në rastin e quajtur “Toka”.

Prokuroria Speciale e Kosovës, kishte ngritur aktakuzë ndaj tyre më 25 tetor të vitit 2016.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.