21:30 / E Diele, 14 Gusht 2022 / AR

Bllokim dhe gjoba të rënda për drejtuesit e ‘pabindur’ të skafeve në Sarandë

Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë kanë vijuar kontrollet e përditshme, përgjatë vijës bregdetare të Sarandës, ku gjatë ditës së sotme, në plazhin e Ksamilit, kanë konstatuar një mjet lundrues tip skaf duke ushtruar aktivitetin e tij brenda zonës së kufizuar për mjetet lundruese dhe menjëherë kanë bërë shoqërimin e tij, në Portin e Sarandës, për verifikime të mëtejshme.

Pronari i mjetit lundrues tip skaf, shtetasi J. M., 49 vjeç, banues në Ksamil, u ndëshkua me masë administrative 100.000 lekë të rinj pasi nuk respektoi zonën e kufizuar për mjetet lundruese si dhe iu bë bllokimi i mjetit lundrues dhe u ndëshkua me masën tjetër administrative 10.000 lekë të rinj pasi gjatë kontrollit rezultoi pa dokumentacionin përkatës, në bord.

Po gjatë ditës së sotme, kanë vijuar kontrollet të cilat nuk kanë vetëm si qëllim ndëshkimin e mjeteve lundruese, të cilët konstatohen në shkelje por dhe keshillimin e pushuesve, si në rastin e një shtetasi i cili u konstatua nga shërbimet e Policisë Kufitare, duke notuar jashtë zonës kufizuese, në plazhin e quajtur “Centrale”, Sarandë, duke rrezikuar në një zonë në të cilën lejohet aktiviteti i mjeteve lundruese. Ky shtetas u rikthye në zonën e kufizuar për pushuesit.

Gjatë dy javëve të para të muajit Gusht, nga Policia Kufitare Sarandë, janë bllokuar 54 mjete lundruese, ndërkohë që përgjatë gjithë sezonit turistik e deri tani, në Sarandë, janë bllokuar gjithsej 86 mjete lundruese.