16:26 / E Enjte, 19 Janar 2023 / B O

Tentim atentati ndaj Abdixhikut, Krasniqit e të tjerëve – reagon Haradinaj

Kryetari i Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas raportimeve se është përgatitur atentat ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku atij të PDK-së, Memli Krasniqi e deputetëve të këtyre partive.

Haradinaj ka thënë se “Çdo kërcënim ndaj kujtdo qoftë, duhet të merret seriozisht e të trajtohet me profesionalizëm nga organet e rendit”, shkroi ai.

Haradinaj ka kërkuar që të jenë më të kujdesshëm për formën e raportimit.

“Në faza të ndryshme na ka rastisur edhe neve, edhe mua personalisht, që të përballeshim me kërcënime nga më të ndryshmet, kërcënime edhe me jetë. Edhe atëherë kur informatat për kërcënime na kanë ardhur në rrugë zyrtare, apo edhe nga burime të tjera, nuk e kemi alarmuar opinionin publik. E para që të mos i dëmtonim hetimet dhe e dyta që të mos shkaktonim ngarkesë të panevojshme tek opinioni publik!”, potencoi ai.

Ai madje ka hedhur dyshime se publikimi i këtyre kërcënimeve mund të jetë bërë për të shpërqendruar vëmendjen e publikut.

“Do të ishte politikisht jo korrekte dhe e dëmshme madje, sikur përfshirja e opinionit publik në këtë temën e kërcënimeve ndaj figurave publike, të shfrytëzohej për t’i hequr nga vëmendja e popullit, qoftë edhe përkohësisht, temat e interesit popullor, siç janë, problemet ekonomiko-sociale e ato politike, apo edhe defektet e mëdha në politikën e jashtme të vendit!”, ka thënë Haradinaj.