13:59 / E Premte, 03 Korrik 2020 / indeksADMonline

​Sindikalistët, i kërkojnë Zemajt pagesën shtesë për punëtorët e shëndetësisë

Drejtues të Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës janë takuar me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, të cilit ia prezantuar kërkesat e punëtorëve të shëndetësisë.

Ligji për pagat dhe pagesa shtesë për të gjithë punëtorët shëndetësor, ishin kërkesat kryesore të FSSHK-së.

Ky është njoftimi i plotë i FSSHK-së:

Ky dialog dypalësh u zhvillua me qëllim të evitimit të reagimit sindikal nga FSSHK-ja pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin e pagave.

Gjatë këtij takimi ku temë kryesore ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin e pagave, FSSHK-ja para ministrit shpalosi kërkesën për “Pagesën e shtesës për të gjithë punëtorët e shëndetësisë” si edhe u kërkua gjithashtu që Ministria e Shëndetësisë të shtyjë sa më parë procedimin e Ligjit të pagave në Qeverinë e Republikës së Kosovës si njëra ndër aktoret kyç të këtij Ligji.

Ministri i Shëndetësisë Zemaj u zotua se gjatë javës së ardhshme do të bisedojë me kryeministrin e vendit në lidhje me mundësinë e zotimit të mjeteve për pagesën e shtesës së kërkuar nga FSSHK-ja me qëllim të procedimit në buxhet para rishikimit të tij.

Temë tjetër e diskutuar bashkërisht ishte edhe pandemia COVID-19, gjendja e rënduar e punëtorëve të shëndetësisë, testimet, pajisjet personale mbrojtëse dhe siguria e shëndeti i punëtorëve të shëndetësisë.