21:18 / E Hënë, 07 Mars 2022 / AR

8 marsi si festë apo si përpjekje e protestë për barazi

Shkruan: Bukurije Rrustemi – Sociologe dhe aktiviste e shoqërise civile

Për gratë shumë është folur e shkruar, por pak është realizuar dhe është ndryshuar! Se sa keq qëndrojmë në këtë rrafsh mjafton të vështrojmë e të analizojmë sjelljen institucionale, por edhe atë të vet qytetarëve gjatë tërë vitit, sa pak hapsirë krijohet për gratë, sa pak ndihmohen e vlerësohen ato, e në anën tjetër sa shumë shtypen, dhunohen, diskriminohen e margjinalizohen.

Kur flitet për gratë dhe si flitet? Në diskursin tonë publik për gratë flitet për 8 mars, duke i qarë pak brengat e hallet e tyre, flitet edhe me 14 shkurt si të dashuruar! Flitet edhe në pak festa tjera familjare, sepse gruaja është reduktuar vetëm në katarzen e vogël estetike dhe ajo na duhet në ato raste për të na e rregulluar në publik sharmin e imazhin brenda kudo në shoqëri e institucione. Flasim më shumë kur i bullizojmë e sidomos gratë e sferës publike, sepse kjo sferë konsiderohet vetëm e burrave dhe çdo tentim për ta barasvleshuar atë ëshë cënim ndaj burrave. Pra shoqëria dhe institucionet e shtetit heshtin 365 ditë të tjera dhe flasin në ditën kur nuk duhet të flasin, sepse do duhej të flisnin qëllimet e realizuara, edhe atë ditë flet sa për të folur e për ta thyer heshtjen e vazhduar përballë çdo vuajtje e turture që gratë përjetojnë gjatë tërë vitit. E që po ky shtet e këto institucione nuk kanë ndërmarrë asnjë hap e asnjë veprim për ta përmirësuar e lehtësuar jetesen dhe mirëqenien e gruas në këtë vend për më shumë se 20 vite të pasluftës. Megjithatë duhet theksuar se ky është 8 marsi i parë që gruaja në Kosovë është përfshirë në politika sociale me ndarjen e shtesave për leonat dhe fëmijët, janë ndarë bursa për vajzat studente,…

8 Marsi në botë lindi nga protesta dhe revolta e grave që kërkonin drejtësi e barazi në punë e kudo në shoqëri. Në botë edhe sot shumë dekada pas, 8 marsi ka kuptim të njëjtë. Vetëm tek ne 8 marsi është rezervuar si festë për gratë. Ditë kjo kur shteti përkujdeset që t’i vizitojë disa gra të suksesëshme në punë e biznes, t’u ndaj mirënjohje e dekorata disa të tjerave që kanë dhënë një kontribut të caktuar në shoqëri e sidomos në politikë e disa gra organizojnë ahengje festive. Me kaq mjafton pak imazh pozitiv në një ditë si kjo. Pra që të fshihen nga memoria kolektive ato gratë e përvujtura, ato gratë e diskriminuara, të shtypura, të dhunuara e të margjinalizuara, ato që janë shumë në numër e që shteti i sheh dhe i mat gjithnjë si numër. Sot nuk duhet të flasim për ato, sepse sot ka festë e nuk duhet prishur ajo.

Por shqetësuese vazhdojnë të mbeten raportet 24h të policisë ku raportohet për dhjetra raste të dhunës ndaj gruas, ngacmimit seksual e disa herë në vitë raportohet për vrasje të tyre.

Dhuna ndaj gruas në shoqërinë tonë është prezente, e që fatkeqësisht nuk po vjen duke u zvogëluar. Kjo si pasojë e nivelit të ulët të emancipimit shoqëror, patriarkalitetit dhe dominimit maskulin, problemeve ekonomike dhe sociale, mungesës së zbatimit të ligjit, dështimit të organeve të sigurisë dhe drejtësisë. Dhuna në familje fatkeqësisht po vazhdon të trajtohet si një çështje private dhe e izoluar dhe shumë raste të dhunës nuk raportohen. Në shumë raste shkaktarët e dhunës dhe vrasësit e grave nuk marrin as dënim minimal, procesi i gjykimit dhe dënimit bëhet ngadal dhe rastet zbehen, e kjo natyrshëm stimulon nxitjen e rasteve të tjera të dhunës e vrasjeve të grave.

Shto këtu faktin që raportimet për vrasjet e grave nga disa media nuk janë profesionale, ngërthejnë në vete vetëm senzacionin duke ndikuar në nxitjen e dhunës dhe shtimin e numrit të vrasjeve.  Me përshkrime të aktit të vrasjes, mjeteve të përdorura, lajmi merr karakter tjetër e aspak profesional. Drama që përshkruhet se si ka ndodhur vrasja, dyshimet e shkaqeve që kanë quar deri në vrasje që në shumicen e rasteve fajsohet gruaja edhe pse është viktimë, janë vetem disa nga mënyrat se si nuk duhet të shkruhet e raportohet.

Gratë në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen me probleme dhe barriera të shumta e situata vazhdon të jetë tejet e rënduar, sidomos në mundësitë për punësim të tyre. Edhe në ato raste kur u ofrohet mundësia e punësimit zakonisht ndodh në pozita më të ulëta se burrat, pra shumë pak raste ato janë në pozita drejtuese.

Në kulturën kosovare për vite me radhë ka vazhduar fryma e diskriminimit gjinorë e cila ka ndikuar në margjinalizimin e gruas dhe pak prej tyre kanë arritur t’i kalojnë barrierat dhe të integrohen në tregun e punës. Edhe ashtu Kosova vazhdon të jetë në statistika më të larta të papunësisë së grave në rajon. Vetëm 15 % e grave janë të punësuara, ndërsa vetëm 12% e tyre janë trashëgimtare të pronës së përbashkët me burrin. Ndërsa vetëm 4 % e grave trashëgojnë pronë nga familja e prindërve. Kjo pa dyshim që ndikon në mungesën e hapjes së ndonjë biznesi dhe pavarsinë ekonomike.

Bazuar në perceptimin e opinionit publik dhe hulumtime të organizatave të ndryshme në Kosovë janë pikërisht gratë ato të cilat përfundojnë shkollimin dhe madje tregojë sukses më të lartë se burrat, por që ky sukses nuk pasqyrohet edhe në tregun e punës.

Barrierat familiare që shprehen si pasojë e një shoqërie patriarkale, burokracia institucionale sidomos në sektorin privat që i detyron shumë gra të heqin dorë nga profesioni i tyre duke përfunduar si të pa puna.

Arsye tjetër është mos respektimi i ligjit të lehonisë, mungesa e qerdheve publike e sidomos në qytete të vogla në zonat rurale.

Dhe mund të përfundojm me ndikimin e pandemisë COVID-19 që ka rritur numrin e papunësisë e sidomos kjo ka prekur gratë  edhe në aspektin e shtimit të rasteve të dhunës. Pandemia ka qenë një goditje shtesë për ta thelluar edhe më tepër hendekun edhe ashtu të rënduar të gjendjes sociale të grave në vendin tonë. Vlerësimet e deritanishme japin indikacione se shtresat e caktuara të shoqërisë e sidomos gratë në vendin tonë kanë pësuar më së rëndi si në aspektin social dhe emocional nga kjo krizë e pandemisë.

Një gjë e tillë është theksuar në shumë raporte të organizatave të ndryshme. Natyrisht shkaqet mund të jenë të ndryshme, mirëpo kriza e shkaktuar nga pandemia, mbyllja në shtëpi, kriza emocionale dhe pamundësia për ta tejkaluar këtë sfidë të pa përjetuar më parë nga njerëzit e sidomos rëndimi i gjendjes ekonomike, humbja e vendeve të punës e shumë faktorë tjerë i kanë paraprirë rritjes së rasteve të dhunës ndaj grave në vendin tonë.