12:51 / E Shtunë, 27 Prill 2024 / FR

Jeta shkruan romane – thote avokati Koci, pasi e beri nje gjest bamiresie!

Shkruan avokati, Arianit Koci

1.

Nuk kam dashtë me e përmend!

Disa veprime apo vepra të mira që i bën në jetë, i lë anash. Rrjedhin vet. Ty të mbetët me e falënderu Zotin, që ta ka plotësu lutjen me i ndihmu tjetrit.

“Ma ke shpëtu jetën; mua dhe familjes sime. Nuk ta harrojmë kurrë këtë të mirë” – më tha arktitekti musliman, me shtetësi ruse dhe ukrainase.

2.

“Pse e kanë këta kuaj bishtin e lidhur në bistek” – po e pyes një burrë të pashëm rreth 195 cm të gjatë.

Një tis i rëndë i mërzisë i kishtë rënë në fytyrë.

Fliste me vajzën e vet të moshës rreth katërvjeçare në tri gjuhë: pak rusisht, pak gjermanisht dhe një gjuhë që nuk e deshifroja.

U intrigova!

Më vonë e kuptova se ishte gjuha tatare.

3.

Isha në Zürich me punë. Në cilësinë e avokatit.

Thonë që jeta shkruan romane; ngjarje që as në ëndërr nuk i sheh.

Po bëheja pjesa qëndrore e një sage; pjesë e ngjarjeje interesante me elemente të mrekullisë.

Pjesë e një tregimi “si në përralla”!

Me “happy end” – perfundim të mirë!

4.

Buzë liqenit të Cyrihut, në pronën e kompanisë më të suksesshme kosovare në Zvicër – LIKA, e lexoja një dokument.

Realisht, aty ishte një punishte e madhe.

Rend, rregull dhe qetësi! Nuk dukej punishte, por një park i një tregimi sureal.

Kisha analizuar dhe shkruar disa orë.

Dola prej zyrës.

Me Esat Likën, pronarin e kompanisë LIKA, e kishim lënë me shku në drekë.

Nuk iu lajmërova, kur kalova pranë zyrës së tij.

Ika.

Kisha nevojë t’i shihja kuajt e bukur, afër parkut, përbri zyreve e buzë liqenit.

5.

Disa ditë me radhë, kisha planifikuar ta vizitoja livadhin afër, pronë e një familjeje të njohur zvicerane, që kufizohej me një park të madh.

Kishte kuaj arab dhe islandezë!

Livadhi, parku, kuajt dhe liqeni.

Bukuria e Zotit.

6.

Dzhelil Gemedzhy ishte i mbështetur për rrethoje të drurit. Shumë i stresuar. E vëreja prej fytyre.

Rrezatonte mirësi!

Pyetja në anglisht për bistekun e kalit, ishte vetëm uvertyrë e insitimit tim për bisedë.

Pasi e dëgjova që fliste rusisht, e pyeta për Dostojevskin, Tolstojin dhe Gogolin.

7.

I shkëlqyen sytë. Ishte i ngritur me shkollim kulminant.

E shtova dozën intelektuale të bisedës.

Temën e ndërthura me sonatën numër 6 të Prokofievit.

U pajtuam që pjesa e dytë është më e mira.

Dola te rrethimi i Shën Peterburgut (Leningradit) gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe kompozitori Shostakoviq.

Dzelili nuk kishte dëgjuar për simfoninë e shtatë të tij që ia kishte dedikuar Leningradit – qytetit që ka qenë i rrethuar për 125 javë prej nacistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, e ku kanë vdekur rreth 1.5 milionë njerëz.

Dëgjonte me vëmendje.

Prej simfonisë dola te herozimi i leningradasve gjatë luftës.

I tregova kanibalizmin që ka ndodhur.

Banorët e këtij qyteti, në mungesë ushqimi – pasi i kanë ngrënë edhe qentë dhe macat dhe të gjitha kafshët shtëpiake, kanë kaluar në minjë.

Koha e gjatë në rrethim ka bërë që të vërehet edhe mungesa e brejtësve dhe insekteve. I kanë ngrënë!

Disa, në çmendurinë euforike të urisë, kanë filluar të ushqehen me mishin e kufomave.

Madje, ka raste të rralla kur njerëzit e sëmurë e të pafuqishëm janë mbytur, që tjerët të ushqehen.

8.

“Posa e kam përfunduar doktoraturën e arkitekturës në ETH Zürich”.

Ky  universitet fokusohet kryesisht në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.

Një prej univesiteteve më të mira në botë, ETH e ka buxhetin vjetor rreth 2 miliardë.

Gati sa të Kosovës!

9.

Dr. Dzhelili e hapi zemrën. Kishte nevojë me bisedu me dikë.

Profesioni dhe natyra kurioze e imja, janë magnet për personat që kanë nevojë me u rrëfy!

Jam dëgjues i vëmendshëm, përkundër faktit që pyes shumë.

10.

“Viza zvicerane më kalon pas katër javëve. Duhet me e lëshu këtë vend të bekuar. Jam musliman i Krimesë. Pasi është gjendje lufte, e kam ftesën prej ushtrisë ruse që ta kryej obligimin ushtarak”.

Gjatë bisedës e kuptova se është në kërkim nga autoritet ruse. Si i lindur në Krime, e kishte edhe shtetësinë ukrainase.

Me kthimin e tij në vendlindje, i rrezikohej jeta.

11.

“Për kryerjen e doktoraturës në Zvicër, prindërit e mij e kanë shitur një pronë. Pas studimeve dhe masterit, kam punuar në një studio të arkitekturës në Moskë.

Me rrogën time, nuk kam arritë me i mbledhë paratë për doktoraturë në Zvicër” – fliste me emocion të përzier të mburrjes dhe dëshprimit.

12.

“Po ta jap fjalën që kam me ta kryer lejeqëndrimin në Zvicër. Me notat maksimale gjatë studimeve, masterit në Moskë dhe doktoraturës në Zvicër, i ke gjasat e mira. Na duhet angazhim dhe ndihma e Zotit!” – i thashë arkitektit.

“Besimi nuk buron nga mrekullia, sipas realistit, por mrekullia nga besimi” – ia citova një sentence të shkrimtarit të madh rus Dostojevski nga vepra “Vëllëzërit Karamanzov”, si provë për ta vërtetuar pohimin tim.

Lotët i rridhnin në faqe. Qeshte. Qeshte dhe qante! Kishte nevojë për fjalë të mira.

Kishte nevojë për optimizëm!

13.

“Ta kam gjetë një arkitekt kulminant. Duhesh menjëherë me e marrë në punë” – po i them i entuziazmuar Esatit, gjatë drekës në qendrën e Cyrihut.

“O burrë, nuk ta prishi une, por e kemi problem vizën e punës” – po ma kthen me shprehje serioze të fytyrës Esati.

Krejt kohën atë ditë, i fola për mikun tim të ri.

14.

“Profesionist, intelektual, i qetë dhe mbi të gjitha ka nevojë” – nuk iu ndaja  Esatit. Po e therrasim në darkë avokatin tënd në Zvicër” – po i bëj presion Esatit.

“Avokat, besën po ta jap që kam me e dhënë maksimumin” – më tha Esati.

U rahatova!

Esati është burrë i fjalës. Perandorinë dhe pasurinë e vet e ka ndërtuar me punë të madhe, profesionalizëm – e mbi të gjitha duke e mbajtë fjalën.

15.

“Baca Arianit, të kam borxh krejt jetën. Më ke shpetuar mua dhe familjen time. Tani i kam edhe prindërit në Zvicër” – po më thotë dje në Prishtinë, Dzhelili!

Ka ndodhë Deus ex Machina!

Esati e ka bërë të pamundurën, Zoti na ka ndihmu dhe Dhzelili tani është arkitekti kryesor në kompaninë e ndërtimit LIKA.

I udhëheqë 52 arkitekta tjerë!

Punon nga 15 orë në ditë.

Kreativ dhe profesionist, është pjesë e rëndësishme e një prej kompanive më të mëdha shqiptare, në Zvicër.

16.

Ka ardhë në Prishtinë me m’u falënderu. Po e mëson shqipën.

Dukagjinqe!

Kalon shumë kohë me Esatin!

“Baca Arianit, baca Arianit” – nuk po e heqë prej goje këtë sintagmë.