14:47 / E Shtunë, 26 Janar 2019 / indeksADMonline

A mund të justifikohet guximi i partive parlamentare të Kosovës për të qëndruar anash negociatave për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë?

Shkruan, Azem Hajdari, profesor i të Drejtës Procedurale

Negociatat për marrëveshje përfundimtare me Serbinë tashmë gjenden në një fazë shumë delikate. Ato, është e pritshme të vazhdojnë  rrjedhën e tyre pavarësisht ngërçeve të cilat aktualisht ekzistojnë.

Kjo për faktin se zgjidhja e të gjitha çështjeve problemore që ekzistojnë midis Kosovës dhe Serbisë përmes arritje së një marrëveshje përfundimtare, tashmë është bërë e qartë se përbën një çështje strategjike për SHBA-të, NATO-n, por mjerisht edhe për politikën pansllaviste, në ballë me Rusinë.

Kjo marrëveshje vërtetë strategjike në planin ndërkombëtar, nga disa oponentë politikë sikur nuk po shikohet në nivelin e interesit shtetëror të Kosovës dhe të atij kombëtar, ndonëse është tërësisht e tillë.

Përndryshe, si mund të arsyetohen zërat se kjo përbën çështje që i përket Qeverisë, përkatësisht koalicionit qeverisës. Eh, kjo nuk do koment…. Çdo ditë  po trumbetohet se kjo qeveri nuk ka legjitimitet, sepse nuk e përfaqëson shumicën, se është qeveri e numrave të zorit, qeveri që e mban në këmbë lista serbe etj., dhe me vetëdije apo pa të po dëshirohet që ekskluzivisht asaj  ti lihet në barrë kjo çështje jetike shtetërore e kombëtare.

Në këtë rast, kalkulimet për fushata zgjedhore marrin dimensione tragjiko – komike të pashpjegueshme për një mendje të shëndoshë. Meqenëse është kështu, çdo kush në këtë vend që ka mandat të akorduar nga populli, e ka obligim shtetëror e kombëtar,  e madje edhe personal e njerëzor të vihet në shërbim të interesave të vendit. Së këndejmi, nuk mund të justifikohet asnjë lloj guximi i partive parlamentare të Kosovës për të qëndruar anash negociatave për arritje të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Ato nuk do duhej të vetë-përjashtohen, e as bile të lejojnë të tjerët që ti përjashtojnë nga ky proces, aq më tepër kur në vazhdimësi po shprehin dyshime në seriozitetin, fuqinë, legjitimitetin dhe transparencën e këtij procesi të akterëve aktual që po i zhvillojnë negociatat (Presidentit dhe Grupit Qeveritar Negociator). Ato do të mund të jenë hisedarë të të mirave dhe të pengojnë veprimet e dëmshme vetëm duke qenë pjesë aktive e këtij procesi. Të pengosh të keqen është më lehtë duke qenë pjesë e procesit, se sa duke qenë anash tij.  

Ato duhet të ndjekin shembullin e udhëheqësit më pikant të Kosovës – Presidentit historik Ibrahim Rugovës, i cili për situata të tilla të ngjashme bashkonte e i jepte fuqi çdo subjekti, vetëm e vetëm që të kishte unitet, të reflektohej fuqia e të gjithëve (bashkimi bën fuqinë) dhe të arriheshin synimet madhore. Së këndejmi, është më se e domosdoshme që të lihen krejtësisht anash dallimet politike, inatet, e kalkulimet tjera dhe të bashkohen forcat e të gjitha grupeve politike parlamentare, botës akademike dhe shoqërisë civile të Kosovës në një trup të përbashkët për ta përmbyllur këtë proces negociatash me Serbinë  në interes të shtetit dhe kombit.

Në të kundërtën humbjet do të mund të jenë shumë të mëdha dhe ato do të na godasin të gjithëve (pozitë e opozitë dhe çdo qytetar të këtij vendi).