23:18 / E Premte, 04 Mars 2022 / MSH

(A)(S) jemi të barabartë?

Shkruan: Valon Osmani

Përpjekja për t’i përkthyer praktikat perendimore dhe ja përshtatur kontekstit të Kosovës vazhdon të jetë e dukshme tash e disa kohë. Këto përpjekje pasqyrohen lehtësisht në televizionet e Kosovës me mënyrën e veshjës, për të vazhduar deri te zhvillimi i kampanjave me karakter politik apo senzibilizues. Veshja dhe kampanjat i kontribuojnë imazhit kolektiv, mirëpo për ti ndryshuar gjërat për së miri për të gjithë, në veçanti për personat me nevoja të veçanta (aftësi të kufiziuara), kërkohet vullnet politik dhe vetëdijësim. Në kuadrin e personave me aftësi të kufizuara, përmirësimi i gjërave bëhet duke i zbatuar dispozitat ligjore dhe kthyer pjesëmarrjen në kampanja senzibilizuese në veprime konkrete politike. Dita e 1 Marsit, që me anë të një aktiviteti simbolik në sheshin e Prishtinës shënoj Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocave, i mblodhi personat me aftësi të kufizuara në këtë shesh për të ja u përkujtuar përsëri akterëve politik dhe personave tjerë, dinamikat e të jetuarit me karrocë.

Si përdorues i karrocës nga viti 1999, kjo ditë mbetët e rëndësishme për mua dhe për gjithë personat me aftësi të kufizuara pasiqë karrocat dhe mjetet tjera ndihmëse e kanë bërë botën vend më të qasshëm për të lëvizur. Duke e pasur parasysh rëndësinë e kësaj dite, pjesëmarrja e akterëve politik dhe personave me aftësi të kufizuara në këtë aktivitet nuk ishte në nivelet e knaqshme prandaj kampanja do të duhej të shtrihej edhe në qytetet tjera të Kosovës sepse demografia e këtyre personave nuk kufizohet vetëm në kryeqytet. Vetëdijësimi i përgjithëshëm për përmbushjen në plotëni të standardeve për qasje ashtu siç parashikohet me kornizën ligjore aktuale, pra konform kërkesave tona, do të ishte verzioni më i mirë për realizimin e kampanjës. Gjithashtu, siç kam shkruar në të kaluarën, shumë ndërtesa publike dhe private nepër qytetet e Kosovës vazhdojnë të mos i plotësojnë kushtet e nevojshme të cilat bazohen në kornizën ligjore aktuale dhe, në këtë mënyrë, përveç gatishmërisë të akterëve politik për ta shpallur vitin 2022 – vit të personave me aftësi të kufizuar, pjesëmarrësit politik do të duhej të tregonin se cilët janë hapat konkret që do t’i marrin përgjatë këtij viti për ta ndërruar status quon e personave të kësaj kategorie sepse këta tashmë do të duheshin të ishin të informuar me sfidat me të cilat përballemi. Me fjalë tjera, obligimi i tyre është informimi për zbatueshmërinë e ligjeve përndryshe çdo mos veprim tregon se këta ose nuk dinë ose kanë mungesë të vullnetit politik. Pra,  nëse qëllimi i institucioneve që udhëhqen nga politikanët është që viti 2022 të mos mbetet vetëm shpallje por vullneti politik të kthehet në vetëdijësim për të realizuar projekte konkrete, atëherë është sikurse veshja që e ndërron pamjen e jashtme por nuk i zgjidh problemet që na rëndojnë.

Mungesa e vullnetit politik dhe vetëdijësimi i munguar për të përmirësuar mirëqenjën tonë ndër vite ka penguar realizimin e potencialit të plotë që ne, kategoria e personave me aftësi të kufizuara, në një situatë ideale e pa probleme, do të kishim mundësi me i dhënë kësaj shoqërie. Për më shumë, presioni i vazhdueshëm me forma të ndryshme politike dhe me mos implementim të duhur të ligjeve ekszistuese, përveç se ka pamundësuar dhënjën e këtij kontributi në shoqërinë dhe ekonominë tonë, ka bërë që një pjesë e madhe e këtyre personave të mbesin pa punë dhe, rrjedhimisht, bizneset dhe institucionet tjera në vendin tonë ta humbasin mundësinë e shfrytëzimit të këtij resursi të çmuar ekszistues. Për të iu kundërpërgjigjur këtij diskriminimi të vazhdueshëm, personat me aftësi të kufizuara dhe disa politikanë kanë ndërmarrë veprime për ndryshim të situatës por, përkundër këtij fakti, gjendja vazhdon të mbetët e rëndë. Për shembull, nga kjo perspektivë, vlen të përmendet hartimi i ligjit për Statusin dhe të Drejtat e personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik dhe ligjiet që favorizojnë kategoritë tjera të personave me aftësi të kufizuara.

Vlen të theksohet se ky ligj, për këto dy kategori të personave me aftësi të kufizuara, siguron benificione të ndryshme, çoftë për vetë përfituesin e këtij ligji apo edhe për kujdestarin personal të përfituesit, i cili autorizohet që të asistoj për vozitje dhe nevojat tjera personale të personit paraplegjik dhe kuadriplegjik. Mirëpo, edhe përkundër këtyre benificioneve të cilat përcaktohen në dispozitat ligjore, autoritetet ligjzbatuese kanë vazhduar të ndjekin praktika diskriminuese dhe aspak të favorshme për këto kategori. Për shembull, para disa muajve iu kam drejtuar me një shkresë autoriteteve më të larta të Doganës duke ju kërkuar shfrytëzimin e së drejtës së dhënë me ligj për lehtësimet doganore për importin e automjeteve të paraqitura nga këto kategori. Në këtë kuadër, me datë 16 korrik 2021 kam pranuar një përgjigje nga ana e përfaqësuesit të Doganës, duke me sqaruar që lirimi nga detyrimet doganore për automjetin personal për këta persona, është miratuar nga Dogana, vetëm mbi bazën e nenit 76-81 të aneksit “A” të Kodit Doganor dhe Akcizave Nr. 03/L-109, ku përveç dëshmive tjera pranë Doganës, personi ne fjalë duhet të prezantojë edhe patentë shoferin valid.

Me qëllim të informimit sa ma të mirë të opinionit publik, konsideroj që kërkesa për të paraqitur një patentë shoferi valide për personat paraplegjik dhe kuadriplegjik dhe kategoritë e tjera të personave me aftësi të kufizuar është diskriminuese dhe njëkohësisht trajtim jo i barabartë i kësaj kategorie. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe Avokati i Popullit, në një opinion ligjor të dhënë me datën 19.03.2021 dhe ka kërkuar që të krijoj kushte për zbatimin e plotë të së drejtës së dhënë me ligj për lehtësimet doganore për importin e automjeteve të paraqitura nga personat me paraplegji dhe tetraplegji përmes kujdestarit ligjor apo personave te autorizuar. Për më tepër, duke u bazuar në kornizën ligjore dhe praktikat e mirëfillta ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe duke u bazuar në faktin që ligji për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik, nr. 05/L -067, në nenin 10, paragrafi 2 thotë se: “Përfituesit e këtij ligji lirohen nga taksat për regjistrim të automjetit personal apo të kujdestarët”, dhe duke u bazuar në nenin 10 pikën 2, leja për vozitje nuk është e specifikuar si kusht i domosdoshëm për tu liruar nga taksat për regjistrim të veturës. Dogana do të duhej të merrte për bazë dispozitat ligjore që nuk i shkaktojnë dëm personave në fjalë dhe të aplikoj dispozitat që janë më favorizuese.

Në veçanti, aplikimi i dispozitave ligjore siç parashikohen në ligj është rruga që duhet ndjekur për për shkak të natyrës së aftësisë së kufizuar që rrjedhimisht prek shkathësitë fizike për të poseduar patentë shofer. Gjithashtu, duke e pasur parasysh gjendjën e rëndë ekonomike, kjo përbën kosto shtesë financiare dhe, deri më tash, është e pamundur për ta përshtatur automjetin dhe kryer orët e vozitjes në Kosovë në përputhje me shkathësitë tona fizike. Andaj, Dogana nuk mund t’i pres dhe kërkoj të plotësohen këto kushte, sepse e njëjta nuk do të kishte arsyeshmëri e aq më shumë kur trajtimi i barabartë dhe jo diskriminues mbrohet fillimisht me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht nenin 3 (barazia para ligjit), Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi Nr. 05-L-021 dhe me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore. Pra, duke vendosur një kusht të përgjithshëm për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara, Dogana përveç që vepron në kundërshtim me kornizën ligjore gjithashtu ka krijuar praktikë diskriminuese, kështu duke përjashtuar drejtpërdrejt personat me paraplegji dhe kuadriplegji.

Së fundmi, është shumë e vertetë që veshja e ndryshon paraqitjen mirëpo është vullneti politik per t’i përkthyer dhe përshtatur praktikat perendimore kontekstit të Kosovës mjeti kryesor për ndryshimin e gjërave për së miri për të gjithë personat pa dallim. Realizimi i projekteve konkrete, që tejkalojnë përmasat e pjesëmarrjes në kampanjat si ajo e 1 Marsit, është ajo që duhet të ndodh nëse me të vërtet synohet të ndryshohet kjo gjendje e rëndë. Përndryshe, nëse përpjekjet për t’i ndërruar praktikat e deri tanishme kufizohen vetëm në shkresa, pa marrë hapa konkret për ti zbatuar ligjet në mënyrën e duhur dhe gjetur zgjidhje kreative për ndryshimin e status quos për këto kategori, atëherë shembulli më i mire për të treguar se viti 2022 që iu kushtohet personave me aftësi të kufizuara mund të mbetët vetëm një shpallje pasqyrohet shumë mire me çështjen për lirimet doganore. Por, mos harroni se problemet fizike, mendore, shëndetësore dhe jo vetëm, jetojnë së bashku me personat me nevoja të veçanta (aftësi të kufiziuara) gjatë gjithë vitit, madje për paraplegjikët dhe kuadriplegjikët, të paktën deri më tash, përgjatë gjithë jetës. Prandaj, gatishmëria për respektimin e të drejtave dhe zgjidhjës së çështjeve për këto kategori pa dallim, në Kosovë dhe në gjithë botën duhet të ekszistojë përgjatë gjithë viteve, e jo vetëm në ditë të caktuara.