12:45 / E Premte, 03 Maj 2024 / S Z

BALFIN zbulon projektin më të ri në Kanada, një investim prej 40 milionë eurosh

Grupi BALFIN po zgjeron prezencën e tij globale duke hyrë në tregun kanadez të pasurive të paluajtshme. Kanadaja është vendi i 11-të që i bashkohet hartës së investimeve të grupit, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe është i katërti ku BALFIN po ndërmerr zhvillimin e pasurive të paluajtshme.


Projekti i parë i grupit BALFIN në Kanada do të jetë një ndërtim me vlerë investimi prej 40 milionë eurosh, me 27 njësi në Vankuver, një qytet port në bregdetin perëndimor në British Columbia. Është ndër qytetet më të dendura dhe më të larmishme etnikisht të Kanadasë dhe për këtë arsye një nga tregjet më dinamike të pasurive të paluajtshme në Amerikën e Veriut. Disa projekte të tjera janë në fazën e planifikimit dhe pritet të fillojnë në 18 muajt e ardhshëm.

Steven Grunerud, zv.president i zhvillimit të strategjisë, përgjegjës për aktivitetet e grupit BALFIN në Kanada, thotë se tregu është i shkëlqyer për zgjerimin e BALFIN-it.

“Me njohuritë dhe përvojën e grupit në zhvillimin e projekteve rezidenciale, unë besoj se do të ketë një shkëmbim të mirë te njohurive dhe përvojave midis dy vendeve. BALFIN-i ka një partneritet me zhvillues me përvojë në këtë sektor”, thekson ai.


Grupi BALFIN filloi aktivitetin e tij në sektorin e pasurive të paluajtshme në vitin 2003 në Shqipëri, duke zgjeruar më tej gjurmën e tij në Maqedoninë e Veriut, Austri dhe që nga viti i kaluar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjë që u njoftua nga presidenti i grupi
BALFIN, Samir Mane. Me një portofol projektesh rezidenciale, komerciale, turistike dhe mikse, grupi BALFIN është i pozicionuar mirë në industri si një investitor dhe zhvillues ndërkombëtar.


Grupi BALFIN është i njohur për konceptet novatore me standarde të larta në fushën e ndërtimin si edhe risitë unike arkitekturore në projekte si Green Coast, Vala Mar, Rolling Hills, QTU, TEG, Ambasador 1, 2 dhe 3, dhe projekte ambicioze në Austri, Shtetet e Bashkuara e së fundmi edhe në Kanada.