09:43 / E Mërkurë, 25 Tetor 2023 / MSH

Bashkëpunimi mes komunitetit shqiptar dhe serb në Kosovë: Një hap drejt harmonisë etnike

Shkruan: Agron Canolli

Të rinjtë e komuniteteve serb dhe shqiptar në Kosovë, dita e ditës po thellojnë bashkëpunimin mes njëri-tjetrit. Përveç kulturës, artit, punës së përditshme dy komunitetet po i lidhë edhe jeta e rëndomtë të cilën po e përdorin për të kaluar kohë të mirë së bashku. Sporti, më saktësisht futbolli është njëra prej tyre.

Sinisa nga Prekovci/Prekovce i Novobërdës/Novo Brdo dhe Islami nga Hajvalia/Ajvalia e Prishtinës kanë disa gjëra të përbashkëta, ajo çfarë i afron mes vete është pasioni dhe dashuria ndaj futbollit.

Rastësisht 48-vjeçari nga Novobërda/Novo Brdo dhe 37-vjeçari nga Hajvalia/Ajvalia janë tifozë të Real Madridit, por që kanë edhe preferencat e tyre të futbollit në nivele më të ulët, Partizanit të Beogradit dhe respektivisht Prishtinës.

Përveç tifozërisë, 48-vjeçari dhe 37-vjeçari janë aktivë në futboll, ata së bashku me fëmijët e tyre caktojnë pothuajse çdo javë nga një orë për të luajtur futboll së bashku.

Ata shprehën se përgjatë gjithë kësaj kohe kanë pasur momente tejet të mira duke luajtur futboll së bashku, që përveç kënaqësisë kanë për qëllim edhe aktivitet sportive.

Unë së bashku me fëmijët e mi kemi luajtur futboll me shqiptarët dhe kemi kaluar një kohë të bukur. Do të mund ta përshkruaj futbollin me shqiptarët si të drejtë dhe korrekt për shkak se aktivitet sportive dhe futbolli qe luajmë është vetëm për qejf, pra nuk është ndonjë garë, por thjesht aktivitet sportiv”, thotë ai.

Sinisa thotë se nuk ka pasur asnjëherë probleme ndëretnik përgjatë dy viteve sa zhvillojnë aktivitete sportive, por as gjatë punës së tij. Ai thotë se ka katër vite që punon së bashku me shqiptarët dhe nuk ka asnjë pengesë.

Me shqiptarët kemi filluar të luajmë futboll para dy vitesh dhe për gjatë gjithë kësaj kohe nuk kemi pasur asnjëherë asnjë problem, por kemi kaluar shumë mirë. Unë kam katër vjet që punoj me shqiptarët dhe vazhdojnë të punoj është gjithçka normale”, thotë Sinisa.

Ngjashëm sikurse Sinisa, edhe Islami nga Prishtina thotë se asnjëherë nuk ka pasur asnjë telashe ndëretnike, madje ai e përshkruan aktivitetin sportiv si një rivalitet të këndshëm e miqësor.

“Ne qe një kohë luajmë një here në javë me pjesëtarë të komunitetit serb, luajmë futboll dhe kalojmë mire, problemi nuk kemi përveç qe kemi një rivalitet kuptohet korrekt. Se bashku me mua luan edhe djali Erblini dhe disa familjare të tjerë dhe normalisht probleme nuk kemi pasur asnjëherë”, thotë ai, ku veç tjerash bën thirrje që të krijohet një shoqëri e shëndoshë, e qetë dhe në veçanti pa probleme dhe konflikte, për shkak se një gjë e tillë mund të ndodhë.

Megjithatë nuk është vetëm sporti ajo çfarë i lidhë këto dy komunitete mes vete. Ajo çfarë i bashkon këto dy komunitete mbi të gjitha është kultura e njëri-tjetrit dhe nevojë për të jetuar së bashku në komunitet për çka pasojnë aktivitetet sportive, puna e përbashkët, aktivitetet kulturore dhe bashkëjetesa në forma të ndryshme. 

Alex Tanaskovic, gjeograf dhe aktivist qytetar nga Leposaviqi/Leposavic është njëri prej tyre i cili thotë se që nga përfundimi i shkollës së mesme ka pasur bashkëpunime të shkëlqyera me komunitetin shqiptar. Madje ai thotë se ka vërejtur një interesim të jashtëzakonshëm për të njohur kulturat e njëri tjetrit.

“Që nga mbarimi i shkollës së mesme kam filluar të bashkëpunoj me të rinj të komunitetit shqiptar dhe deri më tani kam vetëm komente pozitive. Procesi i komunikimit është lehtësuar pasi të gjithë ne jemi në gjendje të flasim anglisht (madje disa prej nesh flasin gjuhën e një pale tjetër) dhe do të doja të ndaja një sugjerim për të vënë në qendër të vëmendjes – komunikimi i rritur është si një akullthyes dhe i ndihmon njerëzit të afrohen me njëri-tjetrin. Ajo që më dukej se ishte interesante për mua në veçanti ishte se shumë të rinj shqiptarë janë të etur për të zgjeruar njohuritë e tyre për komunitetin ku jetoj unë (Kosova e Veriut)”, thotë ai.

(Alex Tanaskovic – gjeograf dhe aktivist për bashkëpunim ndër etnik)

Ai thotë se elementi më i rëndësishëm është tek personat vendimmarrës që të ndryshojnë mentalitetin e tyre. Sipas tij është e rëndësishme që në vend të retorikës së rëndë nacionaliste do të duhej avokojmë për solidaritet dhe bashkëpunim për të ardhme më të mirë.

Pavarësisht trashëgimisë së rëndë historike në dy dekadat e fundit, ne jetojmë në epokën moderne ku nevojitet unitet mes njerëzve për të kapërcyer sfidat globale. Historia mund të përdoret për të formësuar të ardhmen në një mënyrë që të mos përsëriten gabimet që kanë ndodhur në të kaluarën. Ndani mirësinë dhe njihni bukurinë e vërtetë të çdo personi, pavarësisht nga emri, feja ose përkatësia etnike”, thotë ai.

Lorenta Kadriu, aktiviste e re e angazhuar në projekte të shumta ndëretnike bën thirrje që të rinjtë e dy komuniteteve të jenë të hapur ndaj njëri-tjetrit për shkak se në bazë të përvojave kanë pasur raporte të shkëlqyera dhe mbi të gjitha kanë mësuar nga njëri tjetri.

“Kam pasur mundësinë të punoje në nivelin lokal dhe regjional me të rinj Serb. Në projektet në të cilat kam qenë e angazhuar kanë pasur synim pavarësimin e të rinjve, luftimin e ‘brain drain’ në WB6, rritja e bashkëpunimit ndëretnik dhe ofrimi i mundësive për ngritje profesionale tek të rinjtë. Mund të vlerësojë që bashkëpunimi ka qenë gjithmonë i hapur, ky bashkëpunim gjithmonë ka përfunduar në miqësi duke u integruar me shume në kulturën e njeri-tjetrit, si gjuha apo feja, duke mësuar me shume për njeri-tjetrin”, thotë ajo.

(Lorenta Kadriu – aktiviste për bashkëpunim ndër etnik)

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës rezulton se tashmë veçse janë krijuar raporte të shëndosha ndëretnike në Kosovë dhe se incidentet mes komuniteteve etnike në Kosovë janë minimale. Në vitin e kaluar janë evidentuar 11 raste të tilla nder etnike, ndërsa në tre mujorin e parë të këtij viti janë evidentuar vetëm tri raste të tilla.

Bashkëjetesa ndëretnike në Kosovë cilësohet se ka shënuar progres të lartë në të gjitha sferat e jetës, duke filluar nga aktivitet sportive të cilat janë të shumta, po ashtu edhe përmes punësimit dhe aktivitet e tjera kulturore të cilat kanë afruar të gjitha komunitetet ndër etnike në Kosovë.

*Ky artikull është mbështetur si pjesë e aktivitetit Pajtimi dhe Transformimi i Konfliktit (#RCT), i cili zbatohet nga Community Building Mitrovica dhe mbështetet nga populli amerikan përmes USAID Kosovo.